Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu në një intervistë për emisionin “Real Story” nga Sokol Balla, në ABC News, foli për fillimin e saj të karrierës në politikë.
Ajo u shpreh se ka qenë Bashkia e Tiranës asokohe që hapi për herë të parë, sektorin e shërbimeve sociale, ndërsa shtoi se ishte risi aso kohe.
Ndër të tjera ajo tha se pushteti vendor është ndërgjegjësuar dhe se shërbimet sociale janë më pranë njerëzve.
Pjesë nga intervista:
Është një përvojë që është në vazhdim, por edhe jo sepse keni futur një këmbë në politikë.
Koçiu: E vërtetë është, posti i ministres është politik, por ndërkohë kam një background të gjatë në administratën publike. Kam filluar punë në bashkinë e Tiranës në janar të 2001.
Pak muaj pas Rama u fut në bashki
Koçiu: Po, Rama atëherë mori mandatin në shtator të 2000, në janar të 2001 iu përgjigja një thirrjeje që bëhej atëherë për të rinjtë që donin të punonin dhe të ofronin kontributin e tyre në fushën e shërbimeve sociale. Ka qenë Bashkia asokohe që hapi për herë të parë, sektorin e shërbimeve sociale. Ishte risi aso kohe, mbaj mend ishin 5 të rinj që sapo ishin diplomuar dhe që kishin shumë dëshirë që të jepnin kontribut. Institucioni i bashkisë ishte atëherë si gri jo shumë i qartë, nuk e kishte atë qartë që ka sot pushteti vendor, edhe ndërgjegjësimin që ka sot për rolin që duhet të ketë pushteti vendor. Dhe unë isha më shumë e shtyrë nga fakti të gjej një punë, të jetë një punë në profesionin tim. Unë kam mbaruar shkencat sociale dhe kështu iu përgjigja thirrjes me kënaqësi.
Por puna ishte e re nuk ishte e qartë se çfarë roli do kryenin punonjësit sociale apo ato që kishin mbaruar shkencat sociale në pushtet vendor. Mbaj mend që ishte një sfidë për të kuptuar rolin dhe si do qaseshim. Do kujtoj edhe një moment, atë kur nuk kisha asnjë kontakt nuk e njihja kryetarin e Bashkisë, mbaj mend që bënim propozime për shërbime sociale që do duhej të ofroheshin unë mbuloja fushën e të moshuarëve, dhe bëjmë një projekt për ofrimin e shërbimit në banesë për moshën e tretë. Ishte një projekt modest, 150 mijë lekë të reja. Ishte një risi, ne ishim të ndarë sipas grupeve vulnerabël.
Përgatis një projekt asokohe dhe do duhej që ta mbronim që këshill bashkiak, sepse çdo projekt miratohej në këshill bashkiak. Kemi bërë një debat tre orësh bëmë një mbrojtje me zjarr për ta mbështetur atë projekt, dhe në fund nuk arritëm dot që ta mbështesnim. Anëtarët e këshillit bashkiak thonin po ç’është ky muhabet, si do ti çojmë lekët. Megjithatë koha ndryshoi, mentaliteti ndryshoi, ne punuam fort, dhe sot jemi në një tjetër realitet. Sot flasim për shërbime sociale pranë qytetarëve, flasim për pushtet vendor që është i ndërgjegjësuar vetë për të ofruar shërbime sociale. Kemi kryetarët e bashkive që vijnë pranë ministrisë dhe kërkojnë që ne ti financojmë me instrumente financiarë për të ofruar shërbimet sociale.
Impakti është jo vetëm social, por edhe politik.
Koçiu: Pra, ka ndryshuar totalisht edhe qasja. Kanë kuptuar që ka një rëndësi gjithmonë e më jetike që të ndihmosh të gjithë qytetarët dhe të sjellësh më të mirën për ta, në të kundërt do dënohesh me votë./m.j