Nga aborti, tek ekonomia, qëndrimet kontradiktore të Donald Trump dhe Kamala Harris përpara debatit të tyre të parë

Ish-Presidenti Donald Trump dhe Nënpresidentja Kamala Harris do të përballen për herë të parë në debatin e shumëpritur mbrëmjen e sotëm. Dy kandidatët për president e përshkruajnë gjendjen e vendit me terma krejtësisht të ndryshme.

Ish-Presidenti Trump shpesh paraqet një pamje më të errët, të përqëndruar tek çështje si emigracioni dhe inflacioni i lartë, ndërsa Nënpresidentja Harris përqëndrohet tek optimizmi për të ardhmen, duke premtuar se “nuk do të kthehemi pas”.

Debati i parë për zgjedhjet e vitit 2024 u mbajt në qershor, kur Presidenti Joe Biden bëri një paraqitje të dobët, që shkaktoi tërheqjen e tij nga gara. Në atë debat pati deklarata të shumta të pavërteta nga të dy kandidatët dhe ka gjasa që përballja e së martës të ketë një pamje të ngjashme.

Le t’i hedhim një vështrim deklaratave të pavërteta të bëra nga ish-Presidenti Trump dhe Nënpresidentja Harris gjatë aktiviteteve të fundit publike.

Aborti mbetet çështje kryesore

Vendimi i paprecedent i Gjykatës së Lartë që rrëzoi të drejtën për abort në nivel kombëtar, e ka bërë abortin një çështje kryesore për zgjedhjet e vitit 2024. Si rezultat i këtij vendimi, aborti ndalohet tashmë në të gjitha fazat e shtatzënisë në 14 shtete të qeverisura nga republikanët, me disa përjashtime të kufizuara. Në tre shtete të tjera, aborti ndalohet pas gjashtë javëve të para të shtatzënisë, kur në shumicën e rasteve gratë ende nuk janë në dijeni të barrës.

Ish-Presidenti Trump i paraqet shpesh demokratët si radikalë në lidhje me abortin. Ai ka deklaruar në disa raste, përfshirë gjatë debatit të qershorit, se disa shtete ua lejojnë grave të abortojnë pasi e kanë lindur fëmijën. Kjo nuk është e vërtetë. Marrja e jetës së foshnjës është vepër penale në të gjitha shtetet amerikane dhe asnjë shtet nuk ka miratuar legjislacion që lejon vrasjen e një foshnje pas lindjes.

Gjatë fjalimit të saj kur pranoi emërimin si kandidate zyrtare e Partisë Demokrate për presidente, zonja Harris tha se zoti Trump do të “vendoste ndalimin e abortit në mbarë vendin, me apo pa Kongresin”. Ish-Presidenti Trump tha më 22 gusht në emisionin “Fox & Friends”, se “nuk do ta bëja këtë kurrë. Nuk do të ketë ligj federal ndalimi. Kjo çështje u është rikthyer tashmë shteteve, aty ku duhet të jetë”. Sidoqoftë, deri në mars ai pati sugjeruar se do ta mbështeste ndalimin e abortit në mbarë vendin në periudhën pas rreth 15 javëve të para të shtatëzanisë.

Faji për tërheqjen nga Afganistani

Ish-Presidenti Trump është përpjekur vazhdimisht të bëjë lidhjen mes Nënpresidentes Harris dhe tërheqjes nga Afganistani, që shkaktoi rikthimin në pushtet të talebanëve përpara se të ishin larguar plotësisht forcat amerikane nga aeroporti i Kabulit në gusht 2021.

Shumica e vlerësimeve për këtë çështje arrijnë në përfundimin se ish-Presidenti Trump dhe Presidenti Biden kanë përgjegjësi të përbashkët për përfundimin tronditës të luftës më të gjatë në historinë e Amerikës. Raporti kryesor i inspektorit të qeverisë vuri në dukje marrëveshjen e ish-Presidentit Trump me talebanët në vitin 2020 për tërheqjen e forcave amerikane si “faktori më vendimtar” për kolapsin e forcave afgane të sigurisë dhe marrjen e pushtetit nga talebanët.

Njoftimi nga Presidenti Biden në prill 2021 se do të vazhdonte me planet për tërheqjen të fiulluara nga ish-Presidenti Trump, ishte faktori i dytë më i rëndësishëm. Nënpresidentja Harris ka thënë se ishte e pranishme kur Presidenti Biden mori vendimin, por as raporti i qeverisë dhe as hetimi që bënë për 18 muaj ligjvënësit republikanë nuk kanë identifikuar ndonjë moment kur nënpresidentja pati rol domethënës në këtë vendimmarrje.

Një sulm vetëvrasës me bombë në aeroportin e Kabulit ndërsa vazhdonte tërheqja, mori jetët e 13 ushtarakëve amerikanë dhe të mbi 170 afganëve.

Pikëpamje të kundërta për ekonominë

Votuesit rendisin ekonominë dhe inflacionin si shqetësimet kryesore për zgjedhjet e këtij viti dhe kandidatët Trump dhe Harris paraqesin vizionin e tyre se si do të përmirësojnë gjendjen e vendit.

Demokratët, përfshirë Nënpresidenten Harris, thonë se propozimi i ish-Presidentit Trump për të vendosur një tarifë prej 10-20% ndaj të gjitha importeve – dhe madje deri në 60% ndaj importeve nga Kina – do t’u kushtonte 3,900 dollarë në vit familjeve të zakonshme amerikane. Shumica e ekonomistëve bien dakord se tarifat do t’i rrisnin çmimet për shumë mallra. Shifra prej 3,900 dollarësh u sugjerua nga Qendra për Progresin Amerikan, një grup aktivist progresist. Sidoqoftë, ish-Presidenti Trump ka thënë se të ardhurat e mbledhura nga tarifat mund të përdoren për të ulur taksa të tjera, duke e ulur kështu koston e përgjithshme të kësaj politike.

Një ndër propozimet kryesore të Nënpresidentes Harris do të mundësonte një ndihmë financiare prej 25 mijë dollarësh për ata që blejnë shtëpi për herë të parë, si dhe zbritje nga taksat për ndërtuesit e këtyre shtëpive. Ekspertët thonë se këto premtime mund të sjellin pasoja të tjera, si rritje të kërkesës për banesa të reja në një treg ku oferta është 3 deri në 7 milionë shtëpi më pak se kërkesa.

Ish-Presidenti Trump përmend vazhdimisht gjendjen e ekonomisë nën drejtimin e administratës së tij si më të mirën në historinë e vendit, ndërsa vë në dukje nivelin e lartë të inflacionit nën drejtimin e Presidentit Biden.

Por nuk është e saktë të thuhet se ekonomia ishte në formën më të mirë nën drejtimin e ish-Presidentit Trump. Së pari, pandemia COVID-19 shkaktoi një rrënie masive gjatë presidencës së tij. Pa përllogaritur pasojat e shkaktuara nga pandemia, rritja ekonomike mesatare ishte në 2.67% gjatë tre viteve të para të qeverisjes së ish-Presidentit Trump. Kjo është një shifër solide, por që nuk i afrohet mesatares prej 4% të rritjes ekonomike nën drejtimin e ish-Presidentit Bill Clinton në periudhën 1993-2001, sipas të dhënave të Byrosë për Analizën Ekonomike.

Energjia, inflacioni dhe shpimet për naftë

Ish-Presidenti Trump është zotuar për rritjen e kërkimit për naftë, për të shtuar prodhimin në vend dhe për të ulur kështu inflacionin. Por, prodhimi i naftës në SHBA ka arritur një nivel rekord nën drejtimin e administratës së Presidentit Biden dhe inflacioni ka filluar tashmë të bjerë. Gjithashtu, çmimet e karburantit kanë filluar të bien në mbarë vendin. Kostoja mesatare ishte në 3.27 dollarë të hënën, krahasuar me rekordin prej 5.01 dollarë që arriti në qershor 2021, sipas të dhënave të Shoqatës Amerikane të Automobilëve.

Ish-Presidenti Trump pretendoi rishtazi se të gjitha termocentralet me qymyrguri do të shtrëngohen të mbyllen gjatë viteve në vazhdim, për shkak të një vendimi të dhënë në prill nga Agjencia për Mbrojtjen Mjedisore. Por, kjo nuk është e vërtetë. Termocentralet do të kenë detyrimin që deri në vitin 2032 të eliminojnë 90% të ndotjes që çlirojnë aktualisht, ose përndryshe rrezikojnë të mbyllen. Termocentralet që janë duke u mbyllur po e bëjnë këtë për shkak të arsyeve ekonomike – ato nuk arrijnë të konkurojnë me gazin natyror, energjinë diellore dhe atë nga era.

Pikëpamjet e Nënpresidentes Harris për kërkimin për naftë kanë ndryshuar me kalimin e kohës dhe janë vendosur në epiqendër të vëmendjes gjatë javëve të fundit. Gjatë një takimi me demokratët në vitin 2019, për kandidimin e saj për presidente për zgjedhjet e vitit 2020, nënpresidentja tha se ishte kundër teknologjisë së shpimit për naftë përmes presionit hidraulik në zona shkëmbore, që shkakton ndotje mjedisore. Por, ekipi i saj elektoral qartësoi rishtazi se ajo nuk është më kundër kësaj praktike.

Gjatë intervistës së saj të parë që kur shpalli kandidaturën për zgjedhjet e këtij viti, zonja Harris tha se e pati bërë të qartë se nuk ishte për ndalimin e shpimit gjatë debatit për zgjedhjet e vitit 2020, kur u përball me ish-Nënpresidentin Mike Pence. Por, nga shqyrtimi i atij debati del se ajo pati thënë se Presidenti Biden “nuk do t’i jepte fund shpimit për naftë”.

Niveli i krimeve gjatë administrtës Trump dhe asaj Biden-Harris

Demokratët kanë vënë në dukje nivelin e lartë të krimeve të dhunshme gjatë periudhës së administratës së ish-Presidentit Trump, i cili tashmë është gjendur vetë fajtor për 34 vepra penale për një skemë për të influencuar zgjedhjet e vitit 2016. Ish-Presidenti Trump bën thirrje për ligj dhe rend, duke pretenduar se krimet e dhunshme janë rritur gjatë administratës së Presidentit Biden.

Krimet e dhunshme ranë gjatë pjesës më të madhe të mandatit të ish-Presidentit Trump, sipas të dhënave të FBI-së, e cila mbledh informacionin e ofruar nga agjencitë e zbatimit të ligjit. Pati sidoqoftë një rritje në vitin 2020 për shkak të pandemisë COVID-19 dhe ka pësuar rënie që atëherë në mbarë SHBA-në, duke iu përafruar në vitin 2022 niveleve të para pandemisë. Të dhënat paraprake të FBI-së tregojnë se niveli i krimeve të rënda vazhdoi të bjerë me 6% gjatë vitit 2023.

Një tjetër raport i Departamentit të Drejtësisë tregon sidoqoftë se niveli i krimeve të rënda sipas të dhënave të policisë është rritur me 42.4% për personat e moshës mbi 12 vjeç gjatë periudhës 2021-2022.

Akuzat e vazhdueshme në lidhje me sigurinë kufitare

Ish-Presidenti Trump pritet ta sulmojë sërish Nënpresidenten Harris për sigurinë e kufirit. Ai deklaroi gjatë një konference për shtypin muajin e kaluar se 20 milionë persona kanë kaluar kufirin SHBA-Meksikë gjatë administratës së tanishme. Por kjo shifër nuk është e bazuar në fakte.

Agjencia amerikane për Doganat dhe Mbrojtjen e Kufirit raportoi 7.1 milionë arrestime të personave që kaluan kufirin në mënyrë të paligjshme nga Meksika gjatë periudhës janar 2021 – qershor 2024. Ky është numri i arrestimeve dhe jo i personave. Për shkak të kufizimeve të vendosura ndaj numrit të azilantëve gjatë pandemisë, shumë persona e kaluan kufirin më shumë se një herë, pasi nuk kishte pasoja ligjore kur dëboheshin. Pra, numri i personave është më i vogël se numri i arrestimeve.

Duke përfshirë edhe numrin e emigrantëve të ndaluar në pikat kufitare, si dhe numrin e emigrantëve të pranuar nga Kuba, Haiti, Nikaragua dhe Venezuela sipas një programi të posaçëm të autorizuar nga një urdhër ekzekutiv i presidentit, shifra shkon në 8.7 milionë. Agjencia për Doganat dhe Mbrojtjen Kufitare nuk publikon vlerësimin e saj të numrit të personave që i shpëtuan arrestimit.

Edhe akuzat se emigracioni i paligjshëm ka shkaktuar një rritje të krimeve të dhunshme janë të pabaza. Ka patur rishtazi njoftime në media për një numër krimesh të rënda me përfshirje të personave të ardhur ilegalisht në SHBA, por pa mbështetur pretendimin se fenomeni ka përhapje të gjerë. Në statistikat e FBI-së nuk veçohet kriminaliteti bazuar në statusin e emigracionit të autorëve dhe nuk ka prova për një rritje të kriminalitetit nga emigrantët, qoftë përgjatë kufirit SHBA-Meksikë, apo në qytetet që kanë patur fluksin më të madh të emigrantëve, si Nju Jorku./VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com