Nënkryetari i Partisë Demokratike, Roland Bejko në një intervistë për “Studio Live” me Arbër Hitajn në Report Tv tha se te Rithemelimi janë bashkuar të gjithë ata që dikur urreheshin në PD.
“Në Foltore janë bashkuar të gjitha ata që urrenin njëri tjetrin në PD. Shumë shpejt do t’ja shohësh tymin. Janë karaktere dhe interesa të ndryshme nuk mund të bashkëjetojnë. Më parë i ka bashkuar autoriteti i Berishës, por pa të do të shqyejnë njëri tjetrin. Janë futur në moçalin e Foltores me shpresën se kush do mbijetojë pasi Berisha të largohet për arsye të drejtësisë apo natyrore. Perëndia e tyre është Saliu, nuk është Gazi as Flamur as Albana”, tha Bejko.
Lëvizje pa integritet e quajti kalimin e Gazment Bardhit me deputetët që e mbështesin te Foltorja e Berishës.
“S’ka konsistencë, qëndrueshmëri. Nuk flitet më për integritet këtu. Mund ta kenë pasur por tashmë nuk e kanë më sepse nuk ka ndryshuar ajo për të cilën u vendosën përballë Berishës. Berisha theu statutin e partisë për të marrë partinë. Kur Basha i cenoi interesin Berishës kur mori gjysmë mendimi që e pezullonte përkohësisht nga grupi, Berisha u tërbua. Arsyeja e dytë ishte Berishizmi. Të gjithë e kuptuan se nga Everizmi kaluan te Ramizizmi dhe më pas te Berishizmi. Në momentin që dolën dhe kundër Berishizmit. Unë kam mbajtur flamurin e anti-berishizmit. U bë një kuvend i 18 dhjetorit i shkëlqyer”.
Në këtë kuadër Bejko nënvizoi se janë të paktë ata që janë larguar nga Berisha dhe nuk i janë bashkuar përsëri.
“Në 33 vite të gjithë ata që i janë larguar Berishës, kur i ka sulmuar Berisha edhe i ka rrahur ata janë larguar prej tij, por kur kur kanë dështuar si qen të rrahur kanë ardhur dhe i janë bashkuar Berishës. Që nga 90 e deri më sot. Janë shumë të paktë ata që i janë larguar Berishës dhe nuk i janë bashkuar përsëri.”
Më tej Bejko tha se nëse Berisha tërhiqet tha se për 6 muaj ka zgjedhje të parakohshme prej të cilave PD sipas tij del fituese.
“Sikur Berisha të tërhiqet opozita futet në një dimension të ri dhe i fiton zgjedhjet, sado patronazhistë të angazhojë Rama. Nëse Berisha tërhiqet për 6 muaj zgjedhje të parakohshme. Berisha nuk ka dëmtuar vetëm PD me aktin që bëri por demokracinë shqiptare sepse ka lënë vendin pa opozitë. Ne u tregojnë shqiptarëve se tre ose katër oligarkë Rama dhe Berisha i kanë të përbashkët. Vetë Gaz Bardhi ka akuzuar Flamur Nokën.”
Ndërkohë që Lulzim Basha dhe Sali Berisha kanë “ulur armët”, Bejko hodhi poshtë aludimet se ata po shkojnë drejt një marrëveshje.
“Nuk ka marrëveshje Berisha Basha. Nëse ka ajo do merret vesh. Tani të presim a do vërtetohen teoritë konspiracioniste. Amoralitet të theksuar politik. Atyre u intereson të thonë se jemi në negociata me Bashën sepse duan të hutojnë mbështetësit tanë. Berisha i serviret auditorit siç do auditori ta dëgjojë atë. Nëse auditori do të gënjehet Berisha i gënjen nuk e ka problem. Nëse deri dje e ka sharë me libër shtëpie dikë, në momentin tjetër që ka interes të ngre në qiell”./m.j