Specialisti i Policisë Kriminale, Arben Pjeçi, i cili u vetëvra me armën e shërbimit në komisariatin e Durrësit është përcjellë për në banesën e fundit. Kolegë, miq e familjarë janë të prekur nga kjo ngjarje.
Dhimbja për të afërmit është e madhe, ndërsa thonë se kjo ngjarje ishte e papritur. 56-vjeçarin e kujtojnë si djalë punëtor, të ndershëm e me sedër.
“E papritur. E njoh për njeri të mirë. Askush nuk thotë asgjë, ishte e papritur. Shumë dhimbje”, thotë një prej të afërmve.
Djalë më i mirë nuk gjendet. Jam komshiu, çun me sedër, çun i paparë. Kemi qenë komshinj, u çuditem mbrëmë, ka pasur sedër të madhe.
I sinqertë i ndershëm, u habitëm kur ndodhi kjo ngjarja. E kam kunatin e mbesës. E njoh edhe te puna. Shqetësime nuk kishte, por më bënte përshtypje se ishte shumë i sinqertë, i ndershëm. Punonte i shkreti. U hap dera me zor, e gjetën të varrë. Kishte gjuajtur te zemra”, thonë të afërm e kolegë.
Një moment prekës është edhe kur një prej kolegëve të tij shpërthen në lot, ndërsa thotë se e ka pasur si vëlla.
“E kam pas shumë mik, nuk mund të shprehem. E merrja këtu se kisha makinën, e çoja në Divjakë e shkoja me të. E kam pas si vëlla. Kam punuar para gjashtë vjetëve me të, këtu e takoja shpesh herë. E kam pas shumë mik, e shumë vëlla”, thotë ai.
Efektivi ka qëlluar më 25 janar veten me armën e shërbimit në gjendje të rënduar psikologjike pasi ishte njoftuar me vendimin për ta larguar përfundimisht nga radhët e policisë. Lirimi nga detyra ishte firmosur nga kryepolici Muhamet Rrumbullaku pas një vendimi të formës së prerë të gjykatës së Durrësit që e dënoi efektivin 56 vjeçar me punë në komunitet për plagosje të lehtë pas një sherri me komshiun dy vjet më parë.
/f.s