Këto janë dy gratë, nënë e bijë që u gjetën te pajeta këtë të enjte brenda banesës se tyre në lagjen 17 të qytetit të Korçës.
Eleni dhe Ornela Vangjeli 75 vjeçe dhe Ornela Vangjeli 54 vjeçe kishin humbur kontaktet me familjarët që prej së dielës së 28 janarit. I biri emigrant në Greqi tentonte t’i telefononte, por prej ditësh nuk komunikonte.
Diçka e pazakonte për të, çka e detyroi që të nisej menjëherë drejt Korçës. Pas lajmërimit të policisë, me ndihmën e shërbimit zjarrfikës u hap dera e kyçur banesës se katit të parë ku dy gratë banonin. Por fatkeqësisht nënë e bijë u gjetën të vdekura.
Fqinjët thonë se prej ditësh nuk kishin kontaktuar me Ornelën dhe nënën e saj.
“Me Ornelën kam komunikuar të shtunën. Ajo më tha që kishte shtruar nënën e saj në spital sepse kishte vështirësi në frymëmarrje. Ornela më kërkoi të shihja nëse e kishte mbyllur derën e banesës së saj apo e kishte lënë hapur. Unë shkova kontrollova derën e shtëpisë së saj dhe i thashë që derën e ke të mbyllur. Gjatë këtyre ditëve kur kam dalë nga shtëpia kam trokitur tek dera e Ornelës, por nuk më është përgjigjur njeri, edhe pse kur kam parë derën nga afër më është dukur sikur brenda kishte çelës. U shqetësova sepse me Ornelën nuk po kontaktoja më. Ornela ishte edukatore në Vithkuq. Dje dhe sot erdhën kolegët e punës për ta kërkuar, trokitën edhe ata, por dera nuk u hap. Unë mora në telelfon edhe mbesën e tyre, por as ajo nuk dinte gjë. Sot erdhi djali nga Greqia, tentoi të hapte derën, por dera ishte e mbyllur nga brenda. Më pas me ndihmën e zjarrfikëses dhe policisë dera u hap, por i gjetën të pajeta”, rrëfeu fqinja e tyre.
Sipas policisë, nënë e bijë kanë humbur jetën nga shkaqet natyrale, pasi nuk janë konstatuar shenja dhune. Dyshimet e para janë se ato mund të kenë ndërruar jetën prej së dielës, ditë edhe kur i kanë humbur kontaktet me familjarët.
Edhe pse nuk është kryer ende ekspertiza mjeko-ligjore dyshohet se fillimisht ishte vajza Ornela që humbi jetën si pasoje e atakut kardiak.
Vajza me profesionin mësuese kujdesej për të ëmën e paralizuar. Pas saj vdiq edhe Eleni, e cila vuante nga diabeti. Mungesa e marrjes në kohë së ilaçeve, shërbim që e kryente e bija, mund të jetë arsyeja e humbjes së jetës.