Policia Rrugore e Tiranës thotë se nuk do të ketë asnjë tolerancë për personat që do të përdorin alkool në timon gjatë ndërrimit të viteve.
Në një intervistë për Tv Klan, Jetnor Shira, shefi i Trafikut në Komisariatin e Policisë Rrugore, u bëri thirrje qytetarëve të mos marrin automjetet e tyre nëse do të konsumojnë alkool.
“Policia Rrugore do të jetë ndëshkuese ndaj pijedashësve, ata që vërtetë bëhen rrezik për përdoruesit e tjerë të rrugës, duke sjellë pasoja të rënda në shëndetin e njerëzve. Unë do i këshilloja të përdornin transportin publik, të përdornin shërbimin taksi”, tha Shira.
Në monitorim do të jenë shoferët që kanë sjellje agresive në rrugë, për mbarëvajtjen e ndërrimit të viteve dhe shmangien e aksidenteve.
“Është hartuar një plan masash e shërbimeve të përforcuara sidomos në pjesën e qendrës te sheshi “Skënderbej” dhe mbulimi i të gjithë akseve rrugore, pjesën e autostradës Tiranë-Durrës, autostradës Tiranë-Elbasan, pjesën e rrugës së Arbrit, por edhe mbulimin me mjete inteligjente për ata drejtues mjetesh që tejkalojnë normat e shpejtësisë duke u bërë rrezik për përdoruesit e tjerë të rrugës”, tha Shira.
Policia Rrugore do të ketë në terren 50 efektivë të vendosur në akse të ndryshme dhe e përqendruar kryesisht në qendër të Tiranës, aty ku edhe janë organizuar aktivitete dhe do të shihet spektakli i fishekzjarrëve në mesnatë.