Ministria e Shëndetësisë e Gazës njofton se 104 palestinezë janë vrarë nga një sulm i forcave izraelite teksa prisnin në radhë për ndihma ushqimore. 760 të tjera kanë mbetur të plagosur. Viktimat dhe të plagosurit u dërguan në spitalin al-Shifa në veri të Gazës.
Hamasi ka paralajmëruar se të shtënat ndaj palestinezëve që janë në radhë për ndihmë në Gaza mund të çojnë në dështimin e armëpushimit dhe bisedimet për pengjet.
“Negociatat e udhëhequra nga lidershipi i lëvizjes nuk janë një proces i hapur në kurriz të gjakut të popullit tonë”, thuhet në deklaratë, ku ndër të tjera theksohet se Izraeli do të jetë përgjegjës për çdo dështim të bisedimeve.
Një dëshmitar i tha AFP se sulmi nisi kur mijëra njerëz të dëshpëruar për ushqim nxituan drejt kamionëve të ndihmës në rrethrrotullimin perëndimor të qytetit Nabulsi.
“Kamionët plot me ndihma iu afruan shumë tankeve të ushtrisë që ishin në zonë dhe turma, mijëra njerëz, sapo sulmuan kamionët. Ushtarët qëlluan mbi turmën pasi njerëzit iu afruan shumë tankeve,” tha dëshmitari, duke refuzuar të përmendet emri për arsye sigurie.