Ruja Ignatova, gruaja e vetme në listën e personave më të kërkuar nga FBI për mashtrimin prej 4.5 miliardë dollarësh me kriptomonedhën OneCoin është përballur me ngrirjen globale të aseteve. Kjo masë është ndërmarrë në sajë të investitorëe që kërkojnë kompensim.
“Mbretëresha e kriptomonedhave” nuk mund të shesë ose zhvendosë asetet e saj financiare. Ignatova nuk është parë që pas një fluturimi drejt Athinës, më shumë se 6 vite më parë.
Në qershor, BBC zbuloi lidhjet e saj me “botën e nëndhenshme” bullgare dhe një burrë që dyshohet të jetë bos i krimit të organizuar, i përfshirë në zhdukjen e saj.
Deri më tani, përpjekjet e investitorëve të OneCoin për t’u kompensuar siç duhet kanë dështuar. Autoritetet amerikanë ofrojnë një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për informacionet që rezultojnë në arrestimin e saj.
Urdhri për ngrirjen e aseteve u bë publik të mërkurën nga Gjykata e Lartë e Londrës dhe u kërkua nga 400 investitorë të OneCoin. Vetëm në Mbretërinë e Bashkuar, “BBC” shkruan se investitorët kanë humbur më shumë se 100 milionë paund.
Çështja është lënë e hapur në rast se do të ketë paditës të tjerë.
Urdhri nuk shënjestron vetëm Ignatova, por edhe 7 persona të tjerë dhe 4 kompani, të gjithë të ndërlidhur me OneCoin. Në ta përfshihet bashkëthemeluesi i OneCoin, Sebastian Greenwood i cili është i burgosur në SHBA dhe i dënuar me 20 vite burg.
Dy biznesmenët Christopher Hamilton dhe Robert MacDonald akuzohen për pastrimin e parave të OneCoin. Ata u paraqitën në gjykatën e Londrës, ndërsa përpjekjet për t’u ekstraduar në SHBA kanë dështuar.
Dy kompani Guernsey janë prekur gjithashtu. Në vitin 2021 ato u përdorën nga Ignatova për të blerë një shtëpi me vlerë 13.5 milionë paund në Kensington dhe një apartament 1.9 milionë paund ku do të jetonin truprojat e saj.
Urdhrit të ngrirjes së aseteve nuk i kanë shpëtuar as reklamuesit e OneCoin. edhe pse njësoj si investitorët ata mund të jenë prekur nga mbyllja e OneCoin dhe arratisja e “mbretëreshës”, supozohet se ata kanë përfituar shuma të konsiderueshme duke rekrutuar investitorë.
Kërkimi për Ruja Ignatova mori një kthesë të papritur kur u pretendua se ajo është vrarë. Por me shfaqjen e saj të herëpashershme, a mund të jetë e vërtetë?
/a.r