Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja në fjalën e tij në tryezën e bashkëbisedimit me drejtuesit kryesorë të sistemit të drejtësisë mbi gjyqësorit dhe të drejtat themelore, deklaroi se pas përcaktimit të piketave hapëse për grupthemelorët, ndodhen përpara sfidës për realizimin e piketave të ndërmjetme, që janë parakusht për vijimin e negociatave për të gjithë kapitujt e tjerë për integrimin europian.
Ai bëri me dije se duke nisur nga muaji janar i vitit 2025, do të nisin raportimet e përjavshme.
Manja theksoi se realizimi i piketave të ndërmjetme, ka rëndësi kyçe në disa dimensione, ndërsa shtoi se, janë 920 milionë euro në total që nëse plotësohen reformat e ndërmarra, vetëm për vitin 2025 buxheti i shtetit do përfitojë 87 milionë euro
“Sot jemi në një moment tjetër të rëndësishëm, i cili pasi ka përcaktuar piketat hapëse për grup themelorët ku përshihet dhe kriteri politik., tani kemi përpara sfidën për realizimin e piketave të ndërmjetme që janë parakusht për të vijuar me negociatat për të gjithë kapitujt e tjerë. Do i përgjigjemi pozitivisht këtij procesi me qasjen tonë proaktive në raportime dhe bashkëpunim të shpejtë, që duke nisur nga janari 2025 do jenë të përjavshme.
Raportimet tona duke nisur nga fillimi i vitit që vjen do jenë të përjavshme.
Fakti që sot jemi së bashku në këtë tryezë, mua si ministër drejtësie, më bën të besoj se do ja dalim me sukses dhe këtij procesi. Piketat e ndërmjetme, janë treguesi kryesor që do masin progresin tonë në zbatimin e reformave dhe përmbushjen e angazhimeve të ndërmarra së bashku.
Realizimi i piketave të ndërmjetme, ka rëndësi kyçe në disa dimensione: janë parakusht për mbylljen e kapitujve të tjerë; e çojnë Shqipërinë në një kohë të shkurtër në dyert e BE-së; kanë dhe efekt financiar pasi varet disbursimii fondeve për vendin tonë në kuadër të agjendës së reformave. Janë 920 milionë euro në total që nëse plotësohen reformat e ndërmarra vetëm për 2025, buxheti i shtetit do përfitojë 87 milionë euro. Ndërsa totali i shumës për 23 masat do i sjellë buxhetit 172 milionë euro”, u shpreh Manja.
Ministri e cilësoi këtë proces si sfidues, ndërsa theksoi se për kapitullin 23 janë 14 reforma dhe parakushte të cilët duhen plotësuar me qëllim hapjen e kapitujve të tjerë.
“Prandaj ky proces sfidues ka edhe një stimul të tillë nga komisioni. Për kapitullin 23 kemi 14 piketa të ndërmjetme, janë 14 reforma dhe parakushte që duhet të plotësohen nga kjo tryezë për të hapur negociatat për kapitujt e tjerë.
Gjyqësori ka 4 piketa të ndërmjetme për zbatimin e reformës në drejtësi, forcimin e pavarësisë dhe llogaridhënies përmes përmbylljes së rregullt të procesit të vetingut, përmirësimi i cilësisë së gjyqësorit duke ulur numrin e çështjeve të prapambetura dhe rritjen graduale të performancës së gjykatave dhe prokurorive duke promovuar shërbime cilësore në drejtësi”, theksoi Manja.