Ndryshon ligji për parqet teknologjike, bashkitë dhe kompanitë me kapital shtetëror mund t’i zhvillojnë

I materializuar, por me ndryshime të reja, ligji për parqet teknologjike tashmë do të ketë të përcaktuara një sërë rregullash për mënyrën e zhvillimit të tyre.

Parqet teknologjike ose thënë ndryshe mjedisi i përbashkët për shkencëtarët, bizneset si dhe startup-e në fushën e teknologjisë do të mund të zhvillohen nga bashkitë, institucionet publike, apo edhe kompanitë me kapital shtetëror.

Me krijimin e tyre dhe vendosjen në zbatim një Technopark, pritet t’u mundësojë firmave të aksesojnë lehtësisht burimet e inovacionit dhe të ulin kostot e të bërit biznes.

Disa nga lehtësitë fiskale që parashikon projektligji janë heqja e TVSH-së për mallrat dhe pajisjet e përdorura në park, kostot e trajnimeve për punonjësit rimburësohen pjesërisht nga shteti, aktivitetet që zhvillohen brenda parkut nuk do të tatohen për 15 vite të njëpasnjëshme, e po ashtu edhe pagat e personelit përjashtohen nga taksat për një periudhë 10-vjeçare.

Parqet teknologjike, të cilat pritet të ndërtohen në qytete të ndryshme të vendit, do të mund të administrohen edhe nga një institucion i arsimit të lartë. Ato mund të sjellin përfitim si në bujqësi edhe në sektorin e turizmit.

“Zhvilluesi i autorizuar, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, ka të drejtë të përzgjedhë menaxhues/administrues tё parkut, të cilët mund të jenë persona juridikë privatë ose publikë, si dhe institucione të arsimit të lartë”, përcakton një prej ndryshimeve.

Një rol të rëndësishëm parqet teknologjike pritet të luajnë edhe në tërheqjen e investitorëve të huaj, të cilët mund t’u japin më shumë mundësi bizneseve pjesëmarrëse të zhvillohen në fushën e teknologjisë.

Model suksesi në zbatimin e këtyre hapësirave teknologjike në rajon, rezulton në Serbi e cila pritet t’i zgjerojë edhe më tej në nevoja të bizneseve.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com