“Ndihmë po më vrasin”, biznesmeni grek pikasi autorët para se ta ekzekutonin, lidhja me shqiptarin e vrarë

15 plumba u zbrazën mbi trupin e biznesmenit të njohur grek Christos Gialia, mesditën e së mërkurës ndërsa ai ndodhej në Mandria.

Biznesmeni grek është një emër i njohur edhe për publikun shqiptar jo vetëm për bizneset e tij në vendin tonë, por edhe pasi gruaja e tij e dytë ishte me origjinë nga Labinoti i Elbasanit.

Mediat greke raportojnë se drejtuesit e policisë dhe prokurorisë po hetojnë të kaluarën e biznesmenit duke kërkuar njerëz që do të kishin arsye, profesionale apo financiare, për të kërkuar vrasjen e tij.

Në të njëjtën kohë, ata kanë marrë edhe deklarime nga dy shokë të 59-vjeçarit, në kërkim të informacioneve që mund t’i ndihmojnë në zhvillimin e hetimeve.

Një mik i tij është dëshmitari vendimtar pasi është i vetmi që mund të japë një përshkrim më të detajuar të asaj që ndodhi në minutat e fundit të biznesmenit të vrarë.

Shoku i 59-vjeçarit po fliste në telefon me biznesmenin, para se ky i fundit të vritej.

Sipas këtij personi, kur biznesmeni pikasi sulmuesit, tashmë ishte vonë dhe gjithçka që ai arriti të thoshte ishte “ndihmë, po më vrasin”.

Gjithashtu, policia po heton edhe veprimtarinë e biznesmenit, i cili ishte pronar i kompanive të tregtimit të mishit me qindra punonjës.

Në të njëjtën kohë, ai ishte pronar i tre skuadrave të futbollit, përkatësisht AO Trikala, Paneleussiniakou dhe Mandraikos, ndërkohë që dyshohet se ishte aktiv profesionalisht edhe në Shqipërinë fqinje.

Së fundmi, një vrasje e ndodhur dhjetorin e kaluar në Paleo Faliro ku viktimë mbeti një shqiptar po hetohet pasi raportohet se dy viktimat janë njohur me njëri-tjetrin. Mediet greke nuk kanë dhënë detaje se kush është shqiptari i ekzekutuar në dhjetor.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com