Ushtria izraelite ka njoftuar një “ndërprerje taktike” të luftimeve në jug të Rripit të Gazës. Forcat Mbrojtëse të shtetit hebre kanë sqaruar se në këtë mënyrë do të lehtësojnë dorëzimin e ndihmave humanitare.
Sipas njoftimit, ndërprerja taktike do të zbatohet nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 19, deri në një urdhër të mëtejshëm dhe do të përfshijë një arterie të rëndësishme rrugore.
Gjithashtu, ushtria izraelite ka njoftuar se dy ushtarë të tjerë mbetën të vrarë të shtunën në luftimet në veri të Rripit të Gazës.
Ndërkohë, disa mijëra persona kanë organizuar një protestë në Tel Aviv për t’i kërkuar qeverisë Izraelite të bëjë më shumë për të liruar pengjet që mbahen ende nga Hamasi në Gaza.
Gjatë protestës, që ishte gjithashtu një mesazh kundër kryeministrit Benjamin Netanyahu, forcat e sigurisë arrestuan 12 persona.
Një nga synimet e fushatës ushtarake izraelite ishte të lironte pengjet, por në 8 muaj vetëm 7 prej tyre janë liruar. Izraeli vlerëson se rreth 80 të tjerë vazhdojnë të mbahen nga Hamasi bashkë me trupat e 40 të tjerëve, të vrarë.