Një nga aktoret më të njohura me sindromën Down, Andrea Fay Friedman ka vdekur në moshën 53-vjeçare. Ajo ndërroi jetë të dielën, më 3 dhjetor, në shtëpinë e saj në Santa Monica, Kaliforni, por vdekja e saj u njoftua të enjten, më 7 dhjetor.
Sipas “New York Times” aktorja vdiq pas komplikimeve nga sëmundja e Alzheimerit. Babai i saj tha se aktorja nuk kishte qenë në gjendje të fliste vitin e kaluar për shkak të sëmundjes, e cila është e zakonshme tek njerëzit me sindromën Down që janë mbi 50 vjeç.
Friedman lindi më 1 qershor 1970 në Santa Monica. Pasi u diplomua nga West Los Angeles Baptist School, vendosi të studionte për aktrim dhe filozofi në Kolegjin Santa Monica për 2 vjet.
Gjeti sukses të madh në vitin 1992 kur u nominua për dramën televizive ‘Live Goes On’, në të cilën ajo luajti Amanda Swanson, gruaja e protagonistit Charles ‘Corky’ Thatcher, i cili gjithashtu kishte sindromën Down. Ajo luajti personazhin për dy sezone.
Në të njëjtën kohë, ndërsa ishte ende studente, ajo punonte në një qendër të kujdesit për fëmijë. Ajo më vonë bëri paraqitje të tjera në seriale hit si p.sh. ‘Baywatch’, ‘ER’ dhe ‘Law and Order’
Në një episod të serialit të animuar të njohur, por mjaft të diskutueshëm ‘Family Guy’, Friedman ia dha zërin e saj një vajze me sindromën Down, emri i së cilës është Helen dhe është në lidhje me adoleshentin Chris.
Shumë kritikuan përfshirjen e një vajze me sindromën Down në serialin komedik të goditur, i cili për shumë kaloi kufirin, veçanërisht për njerëzit me aftësi të kufizuara.
Përgjigja e Friedman ishte: “Në familjen time ne besojmë se e qeshura është e mirë. Prindërit e mi më edukuan të kem sens humori dhe të jetoj një jetë normale.”/Liberale.al