Musk nuk ndalet vetëm në SHBA/ Pas Trump, zgjedh të preferuarin edhe në Gjermani, mbështet…

Elon Musk njeriu më i pasur dhe më me ndikim në planet nuk resht së sfiduari me qëndrimin, zgjedhjet dhe mënyrën se si dëshiron të konfirmojë ndikimin dhe dinamikën globale që ka në duar.

Pasi mbështeti Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në Amerikë, Elon Musk ka vijuar angazhimin politik duke u përfshirë edhe në proceset zgjedhore në Europë. CEO i Tesla-s është bërë pjesë indirekte e ekonomisë më të fortë të Evropës, Gjermanisë, duke dalë hapur në krah të ekstremit të djathtë, që përfaqësohet nga partia AfD.

Me një postim në platformën ‘X’, Musk pretendon se zgjedhja më e mirë për gjermanët është “Alternativa për Gjermaninë”. Postimi i tij jo vetëm që shkaktoi lëvizje, por u pasua edhe nga një mesazh falënderimi personal nga kryetarja e partisë gjermane Alice Widel.

Edhe kancelari Scholz reagoi për këtë çështje, duke sqaruar se të gjithë kanë të drejtën e një mendimi, veçanërisht në demokraci, duke lënë të kuptohet se ndikimi i Elon Musk është e drejta e tij, por ka kufij edhe për këtë.

Por, kjo nuk është hera e parë që manjati i teknologjisë, pronari i X dhe njeriu që aspiron të pushtojë hapësirën, zgjedh të përfshihet në çështjet politike të Europës. Rreth një muaj më parë, Musk kishte kritikuar hapur drejtësinë italiane, pas vendimit që bllokoi ekstradimin e emigrantëve të paligjshëm nga Roma drejt kampit të Gjadrit, të ndërtuar pas arritjes së marrëveshjes me kryeministrave Meloni dhe Rama.

Madje, gjyqtarët italianë e kishin kritikuar hapur Musk për mënyrën sesi ai zgjodhi të pozicionohej në një çështje kombëtare të Italisë. Megjithatë, Georgia Meloni e përdori pozicionin e Musk në avantazhin e saj, duke synuar të jetë në rrethin e ngushtë të liderëve të huaj që do të kenë akses të drejtpërdrejtë në zyrën ovale të Donald Trump pas betimit të tij më 20 janar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com