Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e nisjes së muajit të Ramazanit. Nikolla shkruan se sakrifica, vullneti dhe durimi që besimtarët dëshmojnë gjatë këtij muaji të shenjtë na afrojnë me njeri-tjetrin dhe lehtësojnë përballimin e vështirësive.
“Me rastin e fillimit të muajit të bekuar të Ramazanit, uroj të gjithë besimtarët myslimanë dhe qytetarët shqiptarë: Shëndet e gëzime në familje! Nevoja dhe tradita për të dashur e mbështetur njeri-tjetrin tejkalon çdo besim e komunitet fetar dhe zbukuron jetët tona.
Mozaiku fetar është një pasuri kulturore e kombëtare e Shqipërisë dhe e shqiptarëve.
Sakrifica, vullneti dhe durimi që besimtarët dëshmojnë gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, sjellin rritjen shpirtërore, na afrojnë me njeri-tjetrin dhe lehtësojnë përballimin e vështirësive. Agjërim të lehtë e të pranuar“, uron kryeparlamentarja.
Nesër (11 mars) nis muaji i Ramazanit. Më herët, Kreu i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu uroi besimtarët myslimanë ndërsa u shpreh se ky është muaj i bashkimit mes njerëzve, muaji i përkushtimit në familje.
/a.r