Moti i keq me reshje të dendura shiu dhe erë të fortë që ka mbërthyer pjesën më të madhe të territorit të vendit nga pasditja e djeshme, pritet të vijojë edhe dy ditë në vazhdim.
Për këtë arsye policia e shtetit i është drejtuar me një apel përdoruesve të rrugës, duke kërkuar vigjilencë të shtuar dhe shpejtësi të kontrolluar në drejtimin e mjeteve.
“Për shkak të motit të keq me reshje shiu dhe erë të fortë, në disa qarqe të vendit, Policia e Shtetit apelon për përdoruesit e rrugës që të rrisin vigjilencën dhe të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes. Të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, të vendosin rripin e sigurimit, të mos kryejnë parakalime të gabuara dhe të mos drejtojnë automjetin/motomjetin, në efektin e alkoolit.
Uniformat blu kërkojnë po ashtu që të tregohet kujdes i shtuar, pasi për shkak të erës së fortë mund të ketë rrëzime të pemëve, ndërsa si pasojë e reshjeve të dendura ka prezencë të ujit në disa akse rrugore.
Shërbimet e Policisë Rrugore sakaq kanë shtuar prezencën në rrugët urbane dhe interurbane, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe për t’iu ofruar ndihmë përdoruesve të rrugës në nevojë.
“Në rast nevoje telefononi në numrin 112 dhe zbatoni me rigorozitet rregullat e qarkullimit dhe udhëzimet e Policisë Rrugore”, apelon policia.
/a.r