Stuhia Boris ka shkaktuar të paktën 18 viktima në katër shtete europiane, Poloni, Austri, Rumani dhe Çeki. Por numri mund të rritet edhe më shumë në ditët në vazhdim pasi shumë vetë konsiderohen të humbur.
Polonia shpalli gjendjen e jashtëzakonshme prej katastrofave pas përmbytjeve të mëdha që përfshinë zona të shumta të vendit, shkruan A2 CNN.
Kryeministri polak, Donald Tusk premtoi ndihma për zonat e përmbytura, 240 milionë euro, ndërsa Austria ka caktuar 300 milionë euro për zonat e përmbytura, shumë që mund të rritet në rast se do të jetë nevoja.
Në pjesë të tëra të zonës së madhe të katastrofës, janë ende nën ujë mijëra kilometra tokë. Rrugët dhe fushat janë përmbytur, bodrumet dhe shtëpitë janë plot, digat dhe pritat janë shkatërruar pjesërisht.
Edhe pse në orët e fundit ka pasur një tërheqje të ujërave për shkak të ndalimit të reshjeve, meteorologët kanë parashikuar rikthim të shiut, çka mund të përkeqësojë sërish gjendjen.