Deputeti i Partisë Socialiste Ilir Metaj vlerësoi raportin e Progresit të publikuar këtë të mërkurë, i cili thekson se Bashkimi Evropian është i bindur se në vitin 2027 Shqipëria mund të kërkojë mbylljen e negociatave.
“Për të vazhduar më pas procesin për t’u anëtarësuar në BE, aty ku Shqipëria e ka vendin në vitin 2030”, u shpreh Metaj.
Ligjvënësi socialist në intervistën e tij dhënë në studion e lajmeve në “Ora Neës”, po ashtu, ka komentuar edhe aksionin e opozitës të mosbindjes civile.
“Unë shikoj që ata nuk kanë kuptuar ende çdo të thotë të jesh civil në radhë të parë, e më pas të nisësh një aksion për mosbindje civile.
Nuk shikoj asgjë civile në këtë lloj proteste, sepse mosbindje civile nuk është një akt i mospasjes së ideve, por thjesht shkatërrimi, denigrimit dhe i sulmit të institucioneve, shkatërrimi i pronës private apo shtetërore.
Opozita vazhdon të sillet pa busull, pa ide, pa kauza dhe hapin e fundit e shikoj si një përpjekje për të tërhequr vëmendjen e njerëzve për të thënë që ne ekzistojmë ende.
Por pa reflektuar si një subjekt i nevojshëm në këtë moment kyç për vendin, ku siç thashë më lart është mbështetja që ka dhënë Bashkimi Evropian për vendin tonë.
Kështu çdo manovër tjetër për të shkaktuar kaos, është një përpjekje kllounësh për të ndërruar maskën në cirk, por ende nuk e kanë kuptuar që këtu vetëm në cirk nuk jemi”, u shpreh ndër të tjera deputeti i PS-së, Ilir Metaj.
/a.r