“Mos kaloni vijat e kuqe”. Lavrov: SHBA të mos dërgojë raketa në Ukrainë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk duhet të kalojnë vijat e kuqe me Rusinë. Ky është paralajmërimi që ka dhënë Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, si reagim ndaj planeve të Uashingtonit për dërgimin e raketave me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë. Në një intervistë për mediat ruse, Lavrov tha se SHBA-ja po humbiste ndjenjën e parandalimit të ndërsjellë që kishte mbështetur ekuilibrin e sigurisë midis Moskës dhe Uashingtonit që nga Lufta e Ftohtë dhe se kjo ishte e rrezikshme.

“Nuk do të befasohem nga asgjë, amerikanët tashmë e kanë kaluar pragun që i caktuan vetes. Ata janë duke u nxitur dhe Zelenskyy natyrisht e sheh këtë dhe përfiton nga kjo. Por ata duhet të kuptojnë, ata po bëjnë shaka me linjat tona të kuqe. Ata nuk duhet të bëjnë shaka me linjat tona të kuqe”, tha Ministri i Jashtëm rus.

Lavrov tha se Uashingtoni e dinte se ku qëndronin këto kufij, por ishte gabim nëse besonte se pasojat e çdo përshkallëzimi të luftës në Ukrainë do ti vuante kryesisht Evropa. “Ata kanë një bindje gjenetike se askush nuk do t’i prekë. Kjo minoi të gjitha parimet që kishin mbështetur stabilitetin strategjik me Uashingtonin që nga koha sovjetike. Kjo ndjenjë e parandalimit të ndërsjellë – për disa arsye ata kanë filluar ta humbasin. Kjo është e rrezikshme”, tha Lavrov.

Kjo është hera e dytë në pak se një javë që Lavrov ka paralajmëruar SHBA-në se një luftë e tretë botërore nuk do të kufizohej në Evropë. Kremlini tha më herët se Rusia po bënte ndryshime në doktrinën e saj bërthamore sepse Uashingtoni dhe aleatët e tij po kërcënonin Rusinë duke përshkallëzuar luftën në Ukrainë dhe duke hedhur poshtë interesat legjitime të sigurisë së Moskës. Kremlini nuk ka thënë se si planifikon të përditësojë dokumentin e politikave që përcakton rrethanat në të cilat mund të përdorë një armë bërthamore, ose kur ndryshimet do të hyjnë në fuqi.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com