64-vjeçari Fotaq Zaharia, i njohur ndryshe edhe si “i forti” i Vlorës ndërroi jetë mëngjesin e sotëm në QSUT. Zaharia po vazhdonte betejën ligjore në Gjykatën e Lartë, ku kishte bërë rekurs dhe kërkonte lirim nga qelia, me argumentin se ishte i paralizuar dhe se ndërhyrja kirurgjikale që kishte bërë në këmbë i rrezikonte jetën.
Zaharia ishte një ndër protagonistët e përplasjeve me armë zjarri në vitet më të mbrapshta të vendit tonë, 1997-1999.
Ai kishte marrë dhe pseudonimin si i ‘forti’ i Vlorës për shkak të grabitjeve dhe pengmarrjeve që ka kryer në ato vite.
Fotaq Zahariau prangos, por edhe pse ndodhej në masën e sigurisë “arrest me burg”, për veprat penale “vjedhje” dhe “rrëmbim personash me qëllim përfitimi”, u arratis nga dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë së Vlorë bashkë me Ermir Habilin, Armando Begën e Haxhi Hoxhën.
Pas arratisjes, ai u kthye në tmerrin e Vlorës dhe prokuroria arriti t’i provonte akuzën e grabitjes me armë, pengmarrjen e gruas së një biznesmeni në Vlorë dhe “vrasjes me paramendim”, mbetur në tentativë ndaj shefit të krimeve në Vlorë, Gentian Musabelliut. Veprën e fundit penale kundër Musabelliut ai e kreu në vitin 2007, kur u zhvillua edhe një operacion për arrestimin e Fotaq Zaharisë.
Fitorja në Strasburg
Por gjatë kohës që Fotaq Zaharia ka qenë në burg, ai ka shfaqur probleme shëndetësore tek këmba. Ai iu nënshtrua ndërhyrjeve kirurgjikale për plagën në këmbë, por nuk u rikuperua plotësisht. Madje kjo gjë i shkaktoi dhe paralizë të këmbës, duke u shfaqur edhe me paterica.
Në vitin 2015, Gjykata e Krujës urdhëroi kryerjen e një ndërhyrje të dytë kirurgjikale pasi pjesa metalike e vendosur në këmbë po e dëmtonte. Moszbatimi i vendimit shkoi në Gjykatën e Strasburgut, dhe në vitin 2016, kjo gjykatë urdhëroi përkohësisht ekzekutimin e tij. Por çështja u zvarrit dhe vijoi në Strasburg, deri në korrik të vitit të kaluar, kur Zaharia u dëmshpërblye me 13 mijë euro.
/a.r