Mori 3 mijë euro për të ndikuar në një çështje, arrestohet oficeri i policisë gjyqësore

Një oficer i Policisë Gjyqësore në Dibër është arrestuar për korrupsion, njoftoi Prokuroria e Posaçme. Sipas SPAK, oficeri i identifikuar si Sh.C. ka marrë 3000 euro për të ndikuar në një çështje që po hetohej nga Prokuroria e Dibrës, shkruan A2 CNN.

Sipas SPAK, nga analiza e veprimeve hetimore të kryera deri tani rezulton se:

a. Shtetasi nën hetim Sh.C., në cilësinë e oficerit të policisë gjyqësore në Komisariatin e Policisë Dibër i ka kërkuar dhe i ka marrë shtetasit nën hetim F.K., shumën prej 3000 mijë euro për të favorizuar pozitën procedurale të shtetasit A.Sh. në çështjen penale kundër tij, [konkretisht procedimi penal nr. 9/2020 i Prokurorisë Dibër].

b. Shtetasi nën hetim A.P., në cilësinë e oficerit të policisë gjyqësore të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, i ngarkuar me hetimin e çështjes penale në ngarkim të shtetasit A.Sh., me veprimet dhe mosveprimet e tij nuk ka përmbushur në mënyrë të rregullt detyrën ligjore (psh; duke qenë në dijeni të komunikimeve me përmbajtje korruptive, ai nuk ka kryer në kohën e duhur ndonjë veprim për referimin e tyre në prokurorinë përkatëse, por ka vepruar pothuaj dy vite më vonë, vetëm kur viktima e veprës penale e shprehu këtë fakt në Gjykatë, pasi është njohur me aktet, nuk i ka referuar komunikime me interes dhe nuk është kryer identifikimi i personave të dyshuar për kryerjen e akteve korruptive edhe pse komunikimet e bëni të qartë këtë fakt)

Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 156 datë 27.12.2024, ka vendosur:

• Caktimin e masës së sigurimit personal shtrëngues “arrest me burg” ndaj shtetasit nën hetim Sh.C., i biri i Miftarit dhe i Zyrakes, i datëlindjes 28.03.1960, lindur dhe banues në Dibër, parashikuar nga neni 238 i K. Pr. Penale, si i dyshuar për veprën penale “Korrupsion pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal.

• Caktimin e masës së sigurimit personal shtrëngues “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj shtetasit nën hetim A.P., i biri i Kadriut dhe i Vjollcës, i datëlindjes 11.05.1980, lindur dhe banues në Dibër, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

• Caktimin e masës së sigurimit personal “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj shtetasit nën hetim F.K., i biri i Qazimit dhe i Sadetes, i datëlindjes 21.02.1962, lindur në Dibër, fshati Staravec dhe banues në Tiranë në adresën: Rruga “Selaudin Zorba”, banesë private, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë në drejtësisë ”, parashikuar nga neni 319 i Kodit Penal. (kjo masë ende nuk është ekzekutuar).

“Masat e tjera janë ekzekutuar më 28.12.2024, nga shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, të cilën, gjejmë rastin ta falënderojmë për bashkëpunimin”, tha SPAK.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com