Protesta e sotme para Bashkisë së Tiranës ka rrezikuar jetët e policëve të pranishëm teksa dhjetëra bomba molotovë u hodhën mbi kokat e tyre.
Pamjet e dhunshme nga protesta e Sali Berishës dhe Ilir Metës kanë shqetësuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ambasada në Tiranë kërkon që aktorët politikë të distancohen nga dhuna. Nga ana tjetër, Uashingtoni përshëndet profesionalizmin e policisë.
“Ambasada e Shteteve të Bashkuara dënon aktet e dhunës gjatë protestës së sotme pranë Bashkisë së Tiranës. E drejta për t’u mbledhur në mënyrë paqësore, për të protestuar dhe për të kërkuar veprim kundër korrupsionit janë të gjitha jetike në çdo demokraci, por nuk ka vend për dhunën e ndërmarrë nga organizatorët. Aktorët politikë të përgjegjshëm duhet të refuzojnë çdo formë dhune. Përshëndesim zyrtarët e forcave të rendit për profesionalizmin e tyre gjatë protestës së sotme” – thuhet në reagimin e plotë.
Ndërkohë edhe delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka reaguar në lidhje me tensionet që u zhvilluan gjatë protestës së sotme para Bashkisë së Tiranës.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Delegacioni i BE shkruan se dënojnë dhunën dhe se akte të tilla nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe nuk kanë të bëjnë me të drejtën legjitime për protestë paqësore.
“Ne dënojmë fort dhunën gjatë protestës së sotme në qendër të Tiranës, gjatë së cilës u hodhën mjete piroteknike të improvizuara ndaj godinës së bashkisë. Akte të tilla nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe nuk kanë të bëjnë me të drejtën legjitime për protestë paqësore”, thuhet në postim.
javanews/a.r