Vendi jonë, njëjtë si vendet të rajonit por dhe botës po rishikon rikthimin e ligjit që detyron të rinjtë që të bëjnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak.
Kështu u shpreh Aleksander Pando, drejtor i shtabit të përgjithshëm i Forcave të Armatosura në komisionin e sigurisë ku u miratua në tërësi ligji “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”.
“A mos ka ardhur koha që në Shqipëri që të paktën të futet me detyrim 6 muaj shërbimi i detyrueshëm ushtarak. Njerëzit po ikin. Të rinjtë nuk dinë çfarë është pushka. Të paktën të kemi një brez të përgatitur, qoftë edhe me pagesë?”, tha deputeti Asllan Dogjani.
“Pyetja është me shumë interes për forcat e armatosura. Së shpejti do sjellim dhe një projektligj tjetër, ligji për rezervistin dhe patjetër që janë të gjitha hapësirat që ne të shikojmë ligjin aktual për shërbimin e detyrueshëm ushtarak”, u shpreh Ardit Çollaku, Drejtor i Përgjithshëm, Drejtoria e Përgjithshme Rregullatore dhe Përputhshmërisë në Ministrinë e Mbrojtjes.
“Në lidhje me shërbimin e detyrueshëm ushtarak shumë vende të Natos dhe rajonit po rishikojnë vendosjen e shërbimit të detyrueshëm. Edhe ne jemi duke e shqyrtuar. Në momentin që rekrutimet nuk na plotësojnë nevojat tona edhe ne do e marrim në konsideratë për rikthimin e këtij ligji”, tha Gjeneral Brigade Aleksandër Pando, drejtor i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura./m.j