Pas autonomisë menaxheriale spitalet do të kalojnë edhe në autonominë financiare. Gjatë një takimi me studentë të Universitetit të Mjekësisë dhe Infermierisë nga Spitali Rajonal i Fierit, zëvendëskryeministrja theksoi se falë kësaj reforme do të bëhet e mundur që edhe mjekët të vlerësohen financiarisht në bazë të performancës së tyre.
“Spitalet me autonomi financiare duke nisur nga ky spital ku ndodhemi sot Rajonali i Fierit, do të ketë mundësi të jetë atraktiv për të gjithë mjekët dhe infermierët duke i klasifikuar ata nga performanca dhe duke pasur parasysh kohën e shkurtër që duhet sot për të ardhur nga Vlora në Fier apo nga Tirana në Fier do të bien edhe barrierat e vendbanimit dhe të vendpunësimit. Shikojeni më afatgjatë. Ju do të shijoni dhe merrni frutet e gjithë kësaj reforme që qeveria shqiptare po nis”, tha Balluku.
Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu nënvizoi se për të rritur interesin e mjekëve dhe infermierëve për të punuar në spitalet publike, qeveria ka ndërmarrë disa incentiva, siç është edhe rritja e pagave.
“Pagat, ato që janë stimuli kryesor për të zgjedhur një profesion, janë dyfishuar”, tha Koçiu.
Spitali i parë ku do të aplikohet autonomia e plotë financiare do të jetë pikërisht Spitali Rajonal i Fierit që u ndërtua para pak vitesh me ndihmën e Turqisë.