Nga Ervis Iljazaj
Kur do të jetë protesta e radhës? Sa veta morën pjesë në protestë? A do të jetë protesta paqësore? Janë këto disa nga pyetjet që pothuajse çdo ditë i drejtojnë gazetarët liderve apo forcave politike të opozitës. A thua se protesta është një ngjarje magjike e cila ndryshon rendin politik në Shqipëri. Mediat nuk kanë faj, pasi është vetë politika shqiptare që e ka mësuar më këtë retorikë opinion publik. Me një retorikë e cila ka si kryefjalë të saj protestën, marrjen zvarrë të pushtetit, rrëzimin e qeverive e slogane të tjera si këto, kërkojnë të krijojnë protagonizëm dhe të bëjnë politikë.
Një të tillë pritet të zhvillojë në datën 20 shkurt rithemelimi. Një ngjarje të cilën e presin me padurim mediat dhe ata që bëjnë opinionin publik. Dhe me sa duket hallet e opozitës do të zgjidhen thjesht me një protestë.
Në historinë politike të tranzicionit shqiptar është ngritur një mit rreth protestave politike si një mjet për të goditur qeverinë, për ta dobësuar apo për ta rrëzuar atë. Faktet tregojnë se protestat politike nuk janë efikase në këtë drejtim. Asnjëra prej tyre deri më sot nuk ka krijuar ndonjë moment politik domethënës për të dobësuar apo për të detyruar, që një kryeministër të largohet. Vetëm protestat qytetare mund ta bëjnë këtë. Mirëpo siç do gjë tjetër në realitetin tonë, edhe këtë instrument kaq të rëndësishëm për demokracinë e ka monopolizuar politika.
Ndryshe nga se mendohet rëndomtë, protestat janë rruga më e lehtë dhe jo më e vështira për të pasur sukses politik. Në vitet e fundit opozita shqiptare ka ndjekur këtë rrugë dhe nuk ka arritur asgjë. Ka zhvilluar protesta për ditë më radhë, ka bojkotuar parlamentin, ka bojkotuar zgjedhjet lokale. Ndoshta ka qenë opozita më radikale që ka pasur ndonjëherë Shqipëria gjatë tranzicionit të saj. E megjithatë, rruga radikale e saj e la jashtë çdo pushteti legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Pushtete të cilat ju dhuruan qeverisë, e cila sot i përdor për të konsoliduar kontrollin e saj në të gjitha degët e jetës publike dhe kundër opozitës vetë.
E njëjta gjë po ndodh edhe sot. Rithemelimi, i cili përbën një pjesë të rëndësishme të Partisë Demokratike dhe opozitës në tërësi, po ndjek rrugën e protestave me idenë se kështu do të fitojë më shumë kredite apo besueshmëri në sytë e opinionit publik. Në fakt e kundërta është e vërtetë. Protestat e saj tregojnë qartë pa aftësinë apo pamundësinë që opozita të reformohet në të gjitha drejtimet. Ajo çka vërtetë mund të sjellë besimin e qytetarëve te opozita nuk janë protestat, por reformat e thella që duhet të zhvillojë brenda saj.
Me reformë të thellë nënkuptohet ndryshimi i lidershipit, që pa dyshim sot gjendet në krizë. Pas dy viteve të rikthimit të Sali Berishës në krye të punëve të opozitës, mund të thuhet se tashmë lidershipi i tij është në vështirësi. Asgjë nga ato që premtoi nuk është realizuar. Duket qartë se nën drejtimin e tij opozita e ka të vështirë, thuajse të pamundur për t’u bërë shumicë. Dhe këtë e kupton çdo njëri normal, me përjashtim të atyre që e ndjekin në mënyrë të verbër nga pas.
Jo vetëm Berisha, por të gjithë figurat më të rëndësishme të Rithemelimit janë figura të konsumuara, të cilët nuk mund të krijojnë asnjë frymë apo vizion politik për të pasur sukses. Përkundrazi, sa më shumë dalin në publik, aq më shumë votues i largohen opozitës.
Me reformim të opozitës nënkuptohet reformë strukturore. Në kohën e inteligjencës artificiale, strukturat organizative të opozitës sot ngjajnë të vjetruara dhe të paafta për t’u përshtatur me zhvillimet ekonomike dhe shoqërore të ditëve të sotme.
Gjithashtu, diskursi i saj, i ngjan një diskursi arkaik e të dalë mode. Nëse për një moment do të dëgjonim se çfarë debatesh zhvillojnë opozitat në vendet europiane, se çfarë politikash propozojnë apo se çfarë betejash vendosin në qendër të opinionit publik, diskursi i opozitës shqiptare do të ngjante njësoj si ai i fillim viteve ’90, në Shqipëri.
Sigurisht, që ka të bëjë me një qeveri që kontrollon çdo pushtet dhe nuk është aspak e lehtë të sillesh normalisht me një qeveri të tillë. Megjithatë, aftësia për t’u dalluar nga pushteti duhet të jetë objektivi kryesor i saj. Në të kundërt, krijohet pesimizmi i mungesës së alternativës, ashtu sikurse fatkeqësisht është krijuar në kohët e fundit në Shqipëri.
Në këtë kuptim, rruga nga e cila duhet të kalojë opozita shqiptare është reformimi i thellë brenda saj. Është një rrugë e gjatë dhe e vështirë, por është e vetmja mënyrë për të rrëzuar këtë pushtet dhe për t’i dhënë popullit opozitar dhe shqiptarëve një shpresë. Të cilët, zgjidhjen për të ndërruar këtë pushtet dhe sigurisht një gjë të tillë e kërkojnë tek opozita. Prandaj, në shumë debate publike, opozita dhe situata brenda saj është kthyer në qendër të opinionit publik. Jo, sepse shumë zëra publik, ku përfshi dhe veten, kanë dëshirë të merren me opozitën dhe jo me qeverinë, por sepse e shohin zgjidhjen tek ajo.
Madje, e pretendojnë këtë zgjidhje. Në fund të fundit, kjo është detyra e saj. Pa një opozitë të reformuar, me lidership dhe vizion të ri, jeta politike e Ramës dhe e kësaj qeverie do të vazhdojë të jetë barrë edhe për shumë kohë për shqiptarët.