Kuvendi diskuton sot aktin normativ për ndryshimet e Urdhrit të Mjekut, miratuar më 1 gusht 2024 në mbledhjen e qeverisë.
Por çfarë parashikon ky akt normativ që synon rregullimin e aktivitetit të mjekëve që duan të punojnë njëkohësisht në spitale publike dhe në ato jo publike por pa cënuar aktivitetin profesional tek të parat
Jo më shumë se 12 orë në javë në privat
Në Urdhrin e ri të Mjekëve specifikohet se një mjek nuk mund të punojnë në spitale apo klinika privat më shumë se 30 % të orëve mujore, që punon në sistemin shëndetësor publik. E thënë ndryshe, nëse marzhi maksimal i punës me ligj në institucione shëndetësore publike parashikohet 5 ditë nga 8 orë, ose 40 orë në javë pra, përllogaritet se në privat nuk mund të punojnë më shumë se 12 orë në javë.
Nuk lejohet t’i sugjerojë pacientit klinikën e vet
Gjithashtu i ndalohet t’i sugjerojë pacientit që ka shkuar për trajtim dhe shërbime në spitalin publik ta orientojë drejt spitalit jo publik ku ai ushtron profesionin
Të mos u kërkojë pacientëve, që i janë paraqitur në institucionin shëndetësor publik për trajtim dhe shërbime, në përputhje me specialitetin e tij, që t’i drejtohen institucionit shëndetësor jopublik, ku ai ushtron profesionin e tij” thuhet në pikën D që i shtohet nenit 8 të Urdhrit.
Në dorë të drejtorit
Tek Urdhri i Mjekut është shtuar një nen totalisht i ri, neni 8/a që përcakton dhe kriteret që duhet të plotësohen për të pasur dypunësim, shtet dhe privat dhe kush përjashtohet. Nëse një mjek kërkon të ushtrojë profesionin tek privati duhet ti bëjë kërkesë titullarit të institucionit shëndetësor publik, ku ai është i punësuar. Në rast se titullari vlerëson se puna e dytë mund të pengojë kryerjen e detyrës në spitalin shtetëror e cënon, apo ka konflikt interesi atëherë e refuzon.
Të gjithë në regjistër publik elektronik
Në rast se titullari vlerëson se nuk ka pengesa, miraton kërkesën dhe njofton ministrinë e Shëndetësisë. Kjo e fundit bën publikimin e të dhënave të këtij mjeku në një regjistër publik elektronik.
Kush përjashtohet?
Nuk mund të punojnë në privat mjekët që janë të punësuar në spitale publike të cilat kanë përfituar statusin e autonomisë spitalore.
Veç spitalit Memorial të Fierit, në janar të këtij viti kryeministri deklaroi se i ishte dhënë karta e Autonomisë Menaxheriale Spitalore, edhe Qendrës Spitalore Universtiare “Nënë Tereza”, Spitalit rajonal Durrës, Spitalit rajonal Vlorë, Spitalit rajonal Lezhë dhe Spitalit rajonal Shkodër.Ndërsa pas dy vitesh pritet tu jepet karta e autonomisë financiare.
Gjithashtu mjekët që mbajnë funksione drejtuese të çdo niveli në një institucion shëndetësor publik dhe në Universitetin Mjekësor Publik, e kanë të ndaluar kategorikisht të mbajnë funksione drejtuese të çdo niveli në një institucion shëndetësor jopublik.
Nga gjoba ne pezullim te licences
Në nenin 17 të Urdhrit të Mjekut parashikohen dhe masat disiplinore që merren për mjekët që kryejnë shkelje të etikës, të Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore ose ka bërë gabime teknike.
Ato janë
Masa: Vërejtje;
– Pezullim për të realizuar shërbime të caktuara mjekësore, për një periudhë nga 6 (gjashtë) muaj deri në 3 (tre) vjet;
-Pezullim të licencës së ushtrimit të profesionit të mjekut në tërësinë e saj, për një periudhë nga 6 (gjashtë) muaj deri në 5 (pesë) vjet;
-Gjobë me vlerë nga 100 000 (njëqind mijë) lekë deri në 1 000 000 (një milion) lekë;
– Heqjen e licencës për ushtrimin e profesionit të mjekut.
Procedimi disiplinor fillon brenda 5 vjetëve nga momenti i kryerjes së shkeljes. Në rastin kur mjeku ushtron detyrën në të njëjtin institucion shëndetësor, ku ka kryer shkeljen disiplinore, procedimi disiplinor fillon menjëherë nga momenti i konstatimit të saj.
Masa disiplonore vërejtje shuhet 3 vjet pas dhënies apo përfundimit të saj. Masa e pezullimit shuhet pas 5 viteve të përfundimit të periudhës së pezullimit apo të pagimit të gjobës. Ndërsa nëse një mjeku i hiqet licenca nuk kthehet më.
Kush gjykon penalitetet?
Shkrihen komisionet e gjykimit disiplinor profesional të cilat kanë qenë të ngritura dhe në nivel qarku dhe tani do të ketë vetëm dy struktura. Komisioni i disiplinës që funksionon pranë Urdhrit të Mjekëve, si dhe Komisioni i Apelimit pranë Ministrisë së Shëndetësisë.
Komisioni heton e gjykon në bazë të fakteve dhe provave të administruara dhe të seancës dëgjimore me anëtarin e Urdhrit të Mjekëve, ndaj të cilit mund të merret masa disiplinore. Realizon shqyrtimin e ankesave, hetimin administrativ dhe, në rast konstatimi të shkeljeve, cakton me vendim masat disiplinore.
Këto vendime brenda 10 ditësh mund të ankimohen tek komisioni i Apelimit që ngrihet pranë ministrisë së Shëndetësinë. Përbërja e të dy komisioneve rregullohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Vendimi i Komisionit të Apelimit është i ankueshëm në Gjykatën Administrative por ky ankimim nuk pezullon zbatimin e vendimit të këtij komisioni./Shqiptarja.com