“4-5 bashki në vështirësi financiare, por i analizojmë”
Mungesa e burimeve njerëzore të kualifikuara ka prekur edhe administratën e pushtetit lokal, kryesisht bashkitë e vogla ku oferta për punë nuk përmbush kërkesën e specialistëve. Për këtë arsye, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku ka vendosur të kërkojë nga kolegu që menaxhon buxhetin e shtetit, Ervin Mete një rishikim të pagave për punonjësit e bashkive brenda 6 muajve të parë të këtij viti.
“Që në mesin e këtij viti të shohim një ndryshim të paketës të mënyrës se si mund të ndihmojmë bashkitë nëpërmjet rritjes së pagave, veçanërisht për funksione specifike që ato të kenë mundësi të jenë më kompetitive në treg”.
Mungesa e burimeve njerëzore ndikon dhe tek kapacitetet e këtyre bashkive për të mbledhur më shumë të ardhura apo për të menaxhuar si duhet buxhetin e tyre. Kjo ka bërë që disa prej tyre të jenë në krizë financiare që rrezikon deri në falimentimin e tyre.
“Ka 4-5 bashki që kanë probleme financiare, por nag 61, 4-5 është një numër që nuk është shumë i madh”.
Në krye të 10 viteve të Reformës Territoriale që solli tkurrjen e njësive vendore në vetëm 61 bashki, qeveria po bën një analizë për të parë performancen e tyre.
“Për të rishikuar me detaje kompetencat që ligji i ka dhënë dhe për të parë nëse bashkitë tona janë të gatshme për të marrë edhe më shumë kompetenca, apo për të parë nëse ka ndonjë funksion i cilki është deleguar, por që ndoshta do ishte më mirë që të rianalizohej, apo të përqendrohej”.
Raporti që do të hartohet në fund të Shkurtit ministri Arbian Mazniku në intervistën për TV Klan pranon se mund të shërbejë dhe si platformë mbi të cilën të nis një diskutim me politikën e shoqërinë civile nëse ka nevojë për një reformë të re territoriale apo qoftë për të riparë kompetencat që kanë aktualisht bashkitë. Por sipas ministrit qëllimi final nuk duhet të shërbejë për kalkulime elektorale.
“Ky është një debat që do duhet të bazohet tek të dhënat dhe pastaj bazuar tek këto do duhet të dalim në një analizë të mirëfilltë të bashkëdiskutuar me të gjitha palët për të parë nëse kjo duhet të prekë apo jo territorin. Nuk është një element që duhet të jetë objektivi më shumë apo më pak bashki”.
Opozita pasi e bojkoti reformën territoriale të 2014 prej vitesh kërkon të ndryshohet harta territoriale administrative dhe të rritet serish numri i bashkive pasi sipas tyre kjo reformë ka dështuar. Kërkesë që socialistët nuk e mbështetën as në 2022 kur një komision i posaçëm bipartizan i mbylli rrugën ndryshimeve./m.j