Ministri i Mbrojtjes së Italisë, Guido Crosetto ditën e sotme ka udhëtuar drejt kampit të emigrantëve në Gjadër dhe Shëngjin. Mësohet se Crosetto ka vizituar kampin në Gjadër në orën 16:00.
Kjo vizitë e ministrit italian të Mbrojtës është një vizitë e panjoftuar dhe e padeklaruar ndërsa nuk dihet arsyeja e vizitës. Mesa duket partneriteti mes Italisë dhe vendit tonë është aq i ngushtë saqë vizitat nuk njoftohen më pasi janë si vizitat brenda Italisë.
Më 20 gusht është bërë me dije se kampet e emigrantëve në Gjadër e Shëngjin nuk janë ende gati për t’u testuar. Në të vërtetë ishte parashikuar data 20 gusht, sot, për kryerjen e kësaj procedure, por në Gjadër vijojnë ende punimet për t’u bërë gati sa më shpejt për pritjen e emigrantëve.
Sipas informacioneve, ditët e para të muajit shtator pritet të mbërrijnë edhe emigrantët e parë, por ende nuk ka një afat konkret se kur mund të përfundojnë punimet e nisura prej disa muajsh.
Agjencia për refugjatë e Kombeve të Bashkuara (UNHCR), do të monitorojë tre muajt e parë të zbatimit të marrëveshjes. Agjencia tha do të këshillojë emigrantët për të drejtën e tyre për të kërkuar azil dhe do të sigurohet që procedurat që do të përdoren të jenë në vijë me standardet ndërkombëtare dhe rajonale për të drejtat e njeriut./Dosja.al