Ministri i Jashtëm, Hasani: KiE ta korrigjojë gabimin, Kosova të përmbushë zotimet

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani, shfrytëzoi fjalën e tij në sesionin e sotëm të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës për të folur mbi kërkesën e Kosovës për anëtarësim, e cila s’arriti të futej në agjendën e këtij takimi në Strasburg.

Ai duke thënë se Komiteti duhet të veprojë në bazë të asaj që rekomandon Asambleja Parlamentare e kësaj organizate kërkoi që së shpejti të mbajë një tjetër takim ku do të mirëpritej Kosova si anëtare e re e KiE.

“Komiteti i Ministrave duhet të veprojë i frymëzuar nga thirrja e Asamblesë Parlamentare, e cila pasqyron misionin thelbësor të organizatës tonë, mirëpresim të gjitha shoqëritë dhe njerëzit që u përmbahen vlerave tona. Ndërkohë që Qeveria e Kosovës duhet të përmbushë zotimet e saj ndërkombëtare dhe të dëgjojë me kujdes mbështetësit e saj më të vendosur. Le të mos humbasim më kohë në korrigjimin e këtij gabimi duke mbajtur së shpejti një tjetër takim të Komitetit të Ministrave dhe të mirëpresim popullin e Kosovës në Këshillin e Europës”, ka thënë ai.

Kërkesa e Kosovës për anëtarësim nuk u fut në agjendën e sotme të Komitetit të Ministrave ashtu siç pati pritje për shkak se Kosova s’pranoi të kushtëzohej me Asociacionin për t’u bërë anëtare e KiE./m.j

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com