Milva Ekonomi shpjegon ndryshimet në qarqe dhe pse Tirana ka 3 drejtues

Edi Rama dhe Sali Berisha zyrtarizuan drejtuesit e fushatës për zgjedhjet parlamentare të 2025. Socialistët janë të bindur në fitoren e mandatit të katërt, madje Rama bëri edhe parashikimin, se PD zor se merr më shumë deputetë se në 1997-ën. Berisha thotë se kjo është vjeshta e fundit e demokratëve në opozitë. Ai kërkoi revolta popullore për të shkuar te qeveria teknike që do të na çojë në zgjedhje.

Rama bëri shumë ndryshime te drejtuesit e tij në qarqe, po ashtu në sekretariat dhe kryesi. Deklaroi se ai vetë dhe të gjithë deputetët me më shumë se 1 mandat do të jenë në listë të hapur, ndërsa të rinjtë në listë të sigurt.

Këto lëvizje të Ramës u komentuan në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN nga Milva Ekonomi, Sekretare për Programin në PS. Ekonomi u shpreh se disa nga figurat historike, siç quajti Ballën, Klosin e Gjiknurin, kaluan në detyra që kanë një karakter më horizontal.

“Ajo që ndodhi dje në kryesi, disa drejtues politikë, që janë figura historike të PS-së morën drejtimin e qarqeve, ndërsa disa të tjerë ishin figura që nuk janë më në drejtimin e një qarku. Nga një organizim vertikal që ne kemi për një drejtues politik në një qark, disa drejtues që ne i mendojmë se janë të rëndësishëm për PS-në, siç është Klosi, Gjiknuri apo Balla, ata morën detyra që kanë një karakter më horizontal, kjo sepse eksperienca i jep atyre mundësinë që ta shtrinë këtë në të gjithë territorin.

Ata kanë një bagazh dijesh dhe një bagazh njohurish në organizim që i kalojnë edhe pritshmëritë e tjera në PS. Ne jemi gati edhe për këtë lëvizje sepse duke pasur parasysh këtë organizim horizontal të punës që do të bëjmë, natyrisht që ata do të komunikojnë me të gjithë drejtuesit vertikalë”, u shpreh Ekonomi në A2 CNN.

Ndërkohë, Ekonomi shpjegoi edhe pse Tirana do të ketë 3 drejtues politikë. “Tjetra gjë e rëndësishme, ne përdorëm shumë edhe të dhënat që erdhën nga regjistrimi i popullsisë dhe i banesave, Censi 2023. Të dhënat e censit treguan se situata demografike në Shqipëri ka disa ndryshime, ku Tirana është qarku me më shumë rritje. Për këtë arsye, qarku i Tiranës po organizohet me 3 drejtues politikë”, tha Ekonomike në Debat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com