Ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo thotë se kryeministri Rama kërkoi sot në Kotorr që të mënjanohen klauzolat zyrtare të anëtarësimit në BE dhe të respektohen realitetet e reja.
Milo tha se këtë ide e ka shprehur dhe më herët i dërguari i BE-së Várhelyi, por që kjo kërkesë është pak problematike dhe se nevojitet një vendim i KiE që të mund të kapërcehen këto gjëra.
“Këtë ide e shprehu dhe i dërguari i BE-së Várhelyi që tha që në 2027 vendet e Ballkanit e Perëndimor do të trajtohen si vendet anëtare të BE për një numër të kufizuar çështjesh. Propozimet që ka bërë Rama ndoshta janë një zbërthim i mëtejshëm apo i koordinuar me Várhelyi për çështjen e e trajtimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor për të mos pritur respektimin e proceduarve të anëtarësimit të këtyre vendeve në BE.
Qoftë Várhelyi, qoftë Rama dha të kuptojë ose propozojë që më shumë të shihen hapat konkrete, praktike që afrojnë vendet e Ballkanit Perëndimor me vendet e BE-së sesa të shihen këto klauzola që janë zyrtare për anëtarësimin në BE. Kërkoi një mënjanim të tyre dhe respektim të realiteteve të reja që janë krijuar në marrëdhëniet e Ballkanit Perëndimor me BE-në. Është paksa problematike dhe duhet një vendim i KiE që të mund të kapërcehen këto gjëra, po qe se do kapërcehen”, tha Milo për MCN.
I ndalur tek takimi i Ramës në Athinë, Milo tha se fjalimi i kryeministrit do të ndikojë negativisht në marrëdhëniet me Greqinë.
“Një fjalim alla Rama, të pozicionuar në stilin e tij të njohur publicistik. Kërkoi të ngjallte emocione, aq më shumë që ai e përdor me mjeshtëri kur ka grumbullime të mëdha. Në substancë ajo mund të ketë një përllogaritje elektorale për vitin e ardhshëm. Adresimi do të ndikojë negativisht në marrëdhëniet me Greqinë”, tha Milo./m.j