Të tjera përgjime dalin nga dosja e të arrestuarve të “Tempullit” në Tiranë, ku një grup të rinjsh shpërndanin lëndë narkotike, kanabis, heroinë dhe kokainë në zonat më të frekuentuara të kryeqytetit.
Në dosjen e siguruar ekskluzivisht nga gazetarja e Top Channel Anila Hoxha, janë zbardhur përgjimet, ku persona të autorizuar nga prokurori i çështjes, kontaktonin me shpërndarësit, dhe siguronin lehtësisht kokainë.
Në dosjen e zbardhur nga Top Channel Web, prokuroria tregon sesi njëri nga të arrestuarit, Zog Hysai, 28 vjeç, shiste lëndën narkotike në Tiranë.
Në datën 5 dhjetor 2023 rreth orës 22:15 në zonën e Bulevardit të Ri në Tiranë, i ka shitur drogë personit të autorizuar me emrin e koduar “Miri”. Ngjarja është e dokumentuar me video dhe audio, e asistuar nga policia e Tiranës.
(A është bashkëpunëtori, B është Zog Hysaj)
A-Mirëmëngjesi, si je
B-Mirë si je ti?
A-Sa ikën ato k*vat poshtë
B-Po pra
A-Mi jep mu këto, sa janë a janë katër?
B-Po të rujt zoti, je i mirë
A-E kam un në dorë mos e rr*aj…
Po ashtu, më datë 20 dhjetor 2020, ora 21:50, me autorizim të prokurorit të çështjes, personi me emrin e koduar “Ledi” kryen blerjen e kanabisit te 28 vjeçari.
A- Ça po bën a u lodhe ?
B-Hajt mo nga pak duke punu, po ti ?
A-Mirë, ishte një ditë një çun tjetër
B- Po ka qen nji çun i vogël, asht shoku im ai
Sipas dosjes së prokurorisë siguruar nga TCH, personat e përfshirë me aktivitetin kriminal të shpërndarjes së lëndëve narkotike, kokainë, heroinë dhe kanabis në Tiranë, bashkëpunonin me njëri tjetrën, kryesisht me metoda të ngjashme.
Për shitjen e kokainës, ata e siguronin nga lidhjet e tyre shoqërore, e ndanin në doza dhe e mbanin të fshehur brenda banesës së tyre. Dyshohet se bëhet fjalë për sasi të konsiderueshme, të cilën në shumë raste e shisnin edhe në doza të mëdha, në varësi të kërkesave.
Drogën e shisnin duke komunikuar fizikisht me porositësit ose përmes telefonit celular. Vendet e takimit janë të ndryshme ndryshme. Në afërsi të banesave të tyre, ose shkojnë te vendi ku ndodhet blerësi, duke përdorur automjete të tyre, ose të marra me qira. Ata mbanin kontakte me anë të telefonit me ‘klientët’ e tyre, madje u përgjigjen edhe personave të panjohur, të cilët u prezantohen me anë lidhjeve të përbashkëta shoqërore./m.j