Kryeministrja italiane Giorgia Meloni mbërriti në Florida për t’u takuar me Presidentin e zgjedhur Donald Trump.
Anëtarët e resortit Mar-a-Lago të Trump e mirëpritën Melonin pas një prezantimi nga presidenti i zgjedhur, sipas videove të shpërndara në mediat sociale.
Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale, Meloni shihet në sallën e hyrjes së rezidencës së Trump së bashku me presidentin e zgjedhur, sekretarin e ardhshëm të shtetit Marco Rubio dhe sekretarin e ardhshëm të thesarit Scott Bessent. Kryeministrja shoqërohej nga ambasadorja në SHBA Mariangela Zappia dhe bashkë me ta edhe këshilltari i ardhshëm i sigurisë kombëtare, Mike Waltz dhe ambasadori i ardhshëm i SHBA në Itali, Tilman Fertitta.
Ndërsa nuk janë bërë të ditura detaje të takimit të tyre, kryeministrja italiane kishte planifikuar të fliste me Trump për luftën e Rusisë në Ukrainë, çështjet tregtare, Lindjen e Mesme dhe gjendjen e vështirë të gazetares italiane të arrestuar në Teheran, sipas raporteve të mediave italiane.
Sipas Wall Street Journal, Trump tha se “Meloni ka pushtuar vërtet Evropën”. “Është shumë emocionuese, unë jam këtu me një grua të mrekullueshme, kryeministren e Italisë”, citohet të ketë thënë Trump.
Meloni së fundmi ka krijuar një marrëdhënie të ngushtë me miliarderin CEO të teknologjisë, Elon Musk, një aleat i ngushtë i Trumpit i cili shpenzoi më shumë se një çerek miliardë Dollarë për ta ndihmuar atë të fitonte zgjedhjet.
Kryeministrja italiane është e fundit në grupin e liderëve të huaj që kanë vizituar Trump në Florida që nga zgjedhjet e 5 Nëntorit. Trump është takuar me presidentin argjentinas Javier Milei, kryeministrin Viktor Orban të Hungarisë dhe kryeministrin kanadez Justin Trudeau.