Nga operacioni i djeshëm i urdhëruar nga Prokuroria e Posaçme mësohet se në kërkim janë shpallur shtetasit Aldo Avdyli dhe Fatmir Troplini.
Mësohet se Aldo Avdyli ka qenë njëri nga personat e dyshuar për zhdukjen e Ervis Martinajt dhe po në këtë rast akuzohet se ka siguruar kushte për të vrarë Durim Bamin.
Ndërkaq, Fatmir Troplini është shpallur në kërkim për tentativën e vrasjes së Preng Gjinit. Sulmi me tritol mësohet të jetë kryer për llogari të fisit Reçi në Rrëshen.
Por çfarë ndodhi mbrëmjen e 15 shtatorit 2020?
Atentati me minë të telekomanduar ndaj Preng Gjinit ndodhi në kryeqytet mbrëmjen e 15 shtatorit 2020.
400 gram C4 ishte vendosur në pjesën e poshtme të makinës që drejtonte Preng Gjini, nga Rrësheni dhe shpërtheu në momentin kur ai po udhëtonte mbi urën e lumit Lana, që ndodhet te zona e njohur si ish-Stacioni i Fundit i Tiranës së Re.
Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa u ndje në një rreze të gjerë, edhe në zona të Tiranës që ndodhen shumë larg vendit të ngjarjes. Për shkak të këtij shpërthimi u plagosën lehtë edhe dy kalimtarë, një shtetas italian dhe një fëmijë.
Ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje të gjatë krirugjikale dhe mjaft delikate, për shkak të dëmtimeve të shumta që ka pësuar nga shpërthimi.
Mjekët thanë se kishte pësuar dëmtime të gjymtyrëve të poshtme, por edhe të organeve të ndryshme.
Fillimisht u raportua se kamerat e zonës kishin fiksuar një person, të veshur me xhinse blu dhe bluzë të zezë, i cili mbante një çantë të kuqe në shpinë. Personi në fjalë, shihej nga pamjet teksa largohej me vrap nga vendngjarja. Hetuesit dyshuan se ky person i fiksuar nga kamerat kishte bërë pikërisht shpërthimin e telekomanduar por edhe pse kanë kaluar katër vite nga ngjarja nuk është mundur te identifikohej ky person.
Në dëshminë e tij Preng Gjini ka deklaruar se nuk është në hasmëri me askënd dhe se nuk ruhej nga ndokush pasi nuk ndihej i kërcënuar.
Gjini i ka treguar policisë edhe lokalet dhe akset rrugore ku ka lëvizur dhe kryer takimet, ndërsa grupi hetimor ka vënë nën monitorim këto hapësira me shpresën se mund të gjejë ndonjë indice apo gjë të dyshimtë./m.j