Nën koordinimin e Eurojust, Prokuroria e Posaçme dhe prokuroria italiane dhe agjenci të tjera ligjzbatuese kanë zhvilluar një operacion ndërkombëtar kundër një grupi të angazhuar në trafikun ndërkombëtar të drogës.
Burime pranë SPAK bënë me dije se për llogari të këtij hetimit janë lëshuar disa urdhër-arreste dhe urdhër-kontrolle. A2 CNN ka mësuar nga burime se gjatë orëve të para të mëngjesit dhe paradites së të mërkurës janë kryer disa kontrolle në zonën e Manzës.
Për operacionin në fjalë mediat italiane raportojnë se janë lëshuar 61 urdhërarreste që do të ezkekutohen midis Shqipërisë, Italisë, Zvicrës dhe Polonisë.
Grupi dyshohet se ka pastruar fitimet e paligjshme nëpërmjet një sistemi “faturash për transaksione që nuk ekzistojnë”, ndërsa gjatë hetimeve janë sekuestruar 360 kilogramë drogë.
Ndaj personave nën hetim janë lëshuar urdhra sekuestrimi, me qëllim konfiskimin në vlerë totale të mbi 60 milionë eurove. Në veçanti, grupi kriminal, me qendër në Shqipëri dhe me degë në Itali, kishte importuar drogë nga Amerika e Jugut në Evropë nëpërmjet rrugëve tregtare të transportit dhe më pas do ta sillte në Itali nëpërmjet Spanjës dhe Holandës.
Sasitë e mëdha të kokainës ishin ruajtur për shpërndarje të mëvonshme në 5 baza operacionale, të vendosura kryesisht midis Breshia dhe Lombardi, e në komuna të tjera në Italinë qendrore-veriore si Vareze dhe Piza.
/a.r