Media ruse publikon përgjimin: Gjermanët po përgatisnin sulm me raketa Taurus në Krime

Autoritetet gjermane po hetojnë rrjedhjen e një regjistrimi audio në të cilin oficerët ushtarakë gjermanë dyshohet se diskutonin mbështetjen për Ukrainën, duke përfshirë përdorimin e mundshëm të raketave Taurus.

Kancelari Olaf Scholz e quajti atë një “çështje shumë serioze” pasi audio u publikua në Rusi nga media shtetëroe Russia Today, duke shtuar se qeveria gjermane po punonte për të sqaruar incidentin “me shumë kujdes, shumë intensivisht dhe shumë shpejt”, njoftoi agjencia e lajmeve Reuters.

Gjatë bisedës së regjistruar, zyrtarët ushtarakë thuhet se diskutuan gjithashtu objektiva të mundshëm, duke përfshirë Urën e Kerçit që lidh Rusinë dhe Krimenë e pushtuar.

Shërbimi Ushtarak i Kundërzbulimit të Gjermanisë ka nisur një hetim për të zbuluar “nëse komunikimet e brendshme brenda forcave ajrore” mund të ishin përgjuar, tha ministria gjermane e mbrojtjes. Berlini ka hezituar të furnizojë Kievin me raketa të fuqishme, një çështje kjo që po copëton koalicionin qeveritar të vendit.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov e quajti ‘një vetekspozim flagrant’ regjistrimin audio të publikuar në mediat ruse. Duke folur për gazetarin në Antalia të Turqisë, Lavrov foli për “planet dinake të (forcave të armatosura gjermane), të cilat u bënë të dukshme për shkak të publikimit të këtij regjistrimi audio.

Një zëdhënës i ministrisë gjermane të mbrojtjes tha se nuk mund të konfirmonte vërtetësinë e regjistrimit, por Zyra Federale për Shërbimin Ushtarak të Kundërzbulimit po heton çështjen dhe do të ndërmerren të gjithë hapat e nevojshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com