Një qershori 2024 do të jetë data e shumëpritur për shqiptarët dhe të gjithë ata që dëshirojnë të emigrojnë në Gjermani, pasi në këtë datë do të hyjë në fuqi faza e tretë e ndryshimeve në ligjin për emigracionin. Juristi Rafael Todhe, shpjegoi në A2 CNN se kjo është faza më e rëndësishme për emigrantët, teksa shpjegoi edhe disa nga fazat e ligjit, i cili hyri në fuqi në 18 nëntor të këtij viti.
“Faza e parë ka filluar në 18 nëntor, në mars 2024 është faza e dytë, faza e tretë dhe më e rëndësishme për shqiptarët është në 1 qershor 2024, ndërsa faza finale në 1 janar 2026. Ligji është i shkallëzuar ka hyrë në fuqi në 18 nëntor si ligj i plotë”.
Sipas tij nga ky ligj nuk përfitojnë personat që nuk kanë një zanat, por Todhe sqaron se nga 1 qershori 2024 dyfishohet numri i personave nga Ballkani që aplikojnë për punë në Gjermani.
“Nuk përfitojnë, por ligji nga 1 qershori 2024 jep dyfishimin e personave që aplikonin me ligjin e vjetër të Ballkanit Perëndimor, pra nga 25 mijë në 50 mijë. Gjermania e interesuar për të marrë forcë punëtore”.
I pyetur nëse është më e lehtë për të shkuar në Gjermani, vetëm apo familjarisht juristi thotë se ligji e lejon por ka vështirësi.
“Për herë të parë personave të kualifikuar u jepet e drejta për të marrë prindin, por ende nuk është përcaktuar se në cilën fazë të ligjit. Po nuk është e thjeshtë sepse duet të gjejë banesë. Bashkimi familjar kërkon kushte dhe nuk është e thjeshtë që të vijë brenda 1 apo 2-3 muajve. Por ka edhe nga ata që e kanë arritur. Vështirësia më e madhe është banesa, se në Gjermani duhen 3 rrogat e para dhe vërteton që ka të ardhura për të marrë shtëpi”.
Për juristin Todhe nuk është ndihma për fëmijët që i shtyn shqiptarët të marrin rrugën drejt Gjermanisë, por është mundësia e tregut të punës dhe e ardhmja e fëmijëve.
“Nuk është kjo pikënisja e shqiptarëve, por është shtet i konsoliduar, të jep të drejtën e punës dhe një njeri i aftë mund të gjejë vetveten”.