“Më përpinë flakët”, zjarrfikësi tregon momentin e vështirë: Duhet të kesh shpirtin luftarak

Zjarrfikësit janë heronjtë e gjallë që shpëtojnë jetë, por për Gjergj Rrahitin duhet pasion dhe shpirti luftarak për të kryer këtë mision të rëndësishëm. Në një intervistë për “Jetë Shqiptare” në RTSH, ai tregon sfidat dhe kënaqësitë që ka hasur gjatë 21 viteve në profesioni e zjarrfikësit të Shkodrës.

Rastet që ka shpëtuar jetë kanë qenë të shumta, por edhe humbje ka pasur gjatë punës, kur për të janë edhe momentet më të trishta.

“Unë kam shpëtuar disa jetë gjatë këtij profesioni. Para 5-6 vjetësh me një zjarr në një hyrje pallati në katin e 4 dhe kam nxjerr një grua të sëmurë që ishte rrethuar nga flakët. Ndihem mirë dhe frymëzohem për të shpëtuar jetë. Një rast tjetër ka qenë një studente tek Instituti që ka qenë e djegur dhe ne e çuam me ambulancë dhe shpëtoi. Ka pasur dhjetëra raste që kemi shpëtuar të moshuar nëpër banesa. I kemi gjetur të asfiksuar dhe i kemi shpëtuar. Kemi shpitin luftues për të qenë zjarrfikës ne jemi një shërbëtor për të shpëtuar jetën. Ka dhe raste kur ka fatkeqësi dhe na dhëmb shpirti. Më kanë ndodhur raste të tilla”, tha Gjergji.

Një nga momentet më të vështira të tij ka qenë një zjarr në Tarabosh, ku ai u rrethua nga flakës pasi era ndryshoi drejtim në mënyrë të menjëhershme.

“Njëherë kam qenë në Tarabosh dhe me ndryshimin e erës mbetëm të bllokuar nga flakët. Era erdhi dhe na përpiu ku unë ngela mes flakëve. U rrëzova, u plagosa por kalova mes flakëve. Më çuan në spital dhe  po atë ditë kam dashur të shkoj prapë të shuaj flakët. Puna më motivon se jemi të vetëdijshëm se me çfarë përballemi dhe rreziqet që na presin”, u shpreh ai.

Momentin kur kuptoi se ai donte ta bënte këtë punë është pikërisht në vitet 1996-1997, kur shpëtoi dy jetë pa qenë ende zjarrfikës në Greqi.

“Kam 21 vite që punoj në zjarrfikëse dhe e kam filluar me pasion pasi më parë kam shpëtuar jetën e një fëmije që ka qenë në mes flakëve në ‘97 në Greqi. Unë kam hyre brenda banesës dhe e kam nxjerrë dhe ia kam dhënë nënës së tij. Kishte shpërthyer bombola e gazit. Dhe një herë tjetër kur kam shpëtuar babain e tre fëmijëve që ka qenë duke u mbytur në det. Kjo më dha dëshirën e zjarrtë për të punuar zjarrfikës. E kam filluar me dëshirë që të jap mundësinë ime për të shpëtuar jetë”, tha zjarrfikësi.

Ai pati edhe një thirrje për të rinjtë dhe një mesazh për institucionet lidhur me shërbimin zjarrfikës

“Është e nevojshme të shikohet mosha e pensionit për zjarrfikësin pasi një zjarrfikës 65 vjeç nuk mund ta kryej shërbimin me të njëjtin fuqi si të rinjtë.  Të rinjve u bëj thirrje që kush ka pasion të filloj shërbimin zjarrfikës por duhet ta kenë shpirtin luftues dhe disiplinën”, tha ai.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com