Kryeministri Edi Rama është shprehur përmes një videoje në rrjetet sociale se ka ardhur koha për qendrën e parë turistike të skive në Shqipëri. Ajo do të realizohet në Korçë, që sipas Kryeministrit, do ta fusë zonën në hartën europiane të turizmit të skive. Sipas tij, qendra do të zhvillojë edhe më shumë ekonominë.
“Tani i ka ardhur radha qendrës së parë turistike të skive në Shqipëri, një projekt që do ta fusë Korçën në hartën europiane të turizmit të skive dhe do të ndezë një motor të ri me shumë kuaj fuqi në ekonominë e të gjithë këtij qarku ku lidhjet e rilindura rrugore me Kolonjën e Përmetin kanë sjellë një vlerë të shtuar në paketën e bukur turistike të kësaj zone. Mirë e më mirë dhe më e mira është e gjitha përpara për Korçën e të gjithë Shqipërinë”, tha Rama.
Për Korçën nuk kursen fjalët e bukura që sipas tij, në një dekadë ka ndryshuar tërësisht sa i përket turizmit.
“Korça bre Korça, këtë dimër si asnjë dimër 160 e kusur bujtina njëra më e bukur se tjetra, plot e përplot çdo fundjavë, rreth gjysmë milionë vizitorë e turistë që kalojnë të paktën një natë në Parisin e vogël gjatë vitit. Një dekadë më parë mezi i kalonin 50 mijë ne vit dhe nuk kishte këmbë të huaji. Ndërkohë që bujtinat numëroheshin me gishta dhe mezi mbanin veten”, tha Rama.