Bashkëpunëtori i drejtësisë, Nuredin Dumani tronditi sot me dëshminë që bëri në Gjykatën e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Gjatë kësaj seance, Dumani ka zbuluar se si arriti të lirohej nga qelia, pasi ishte arrestuar për disa vepra të tjera penale.
Ai ka treguar se avokati Alban Bengasi ka luajtur një rol të rëndësishëm në lënien e tij të lirë, duke ndërmjetësuar dhe duke paguar një shumë prej 40 mijë eurosh për këtë qëllim. Sipas Dumanit, kjo shumë iu pagua në dorë dhëndrit të vëllait të Nasip Nacos, i cili në atë kohë mbante pozicionin e shefit të spitalit.
Lidhur me dëshminë ka reaguar Nasip Naço.
“Jam njohur sot nga mediat ku përmendet emri im. Dua të theksoj se:
1. Distancohem nga çdo akuzë e bërë publike sot dhe ftoj organet e drejtësisë që të kryejnë një hetim të thelluar mbi këtë rast. Nëse akuzat vërtetohen, organet përkatëse duhet të marrin masa ligjore ndaj çdo personi të përfshirë në këtë çështje.
2. Roli i Ministrit të Drejtësisë, sipas legjislacionit në fuqi, është i kufizuar. Ministri:
– Nuk heton,
– Nuk ngre akuza,
– Nuk pushon çështje,
– Nuk jep vendime fajsie apo pafajsie.
Detyra e tij lidhet vetëm me dhënien e lejeve të veçanta për të dënuarit, bazuar në ligj.
3. Gjatë ushtrimit të detyrës sime si Ministër i Drejtësisë, nuk kam miratuar asnjë leje të veçantë për subjektin në fjalë.
4. Distancohem nga çdo mashtrim, i bërë nga kushdo, individualisht apo në bashkëpunim, për të dëmtuar integritetin tim. Akuzat publike të bëra sot nuk përputhen me faktet reale të ushtrimit të detyrës sime si Ministër”, shprehet ai.