Tentativa e një 66-vjeçareje për të futur kanabis në institucionin e vuajtjes së dënimit në Fier ka dështuar dhe ka çuar në arrestimin e saj.
Këtë të premte gjatë kontrollit në kuadër të procedurave për takimet në burgun e Fierit, Limoza Xhelalit iu gjetën në atlete 32.45 gram kanabis, të ndara në dy paketime.
“Sot, më datë 23 Gusht 2024, në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Fier, gjatë një kontrolli me qëllim parandalimin dhe konstatimin e sendeve të ndaluara referuar dhe të dhënave nga inteligjenca operative punonjësit e IEVP-së dhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve, konstatuan dhe sekuestruan një sasi lënde narkotike e dyshuar si kanabis sativa, me peshë totale 32.45 gram.
Lënda narkotike u zbulua gjatë kontrollit fizik të familjares Limoza Bahi Xhelali, e lindur më 16 Shtator 1958, e cila ishte duke u përgatitur për të takuar të paraburgosurin Mariglen Gashi, i arrestuar për vjedhje. Kontrolli u krye në pjesën e atleteve të zonjës Xhelali, ku u gjet lënda e dyshuar narkotike, e cila u sekuestrua menjëherë në cilësinë e provës materiale dhe do të dërgohet për ekzaminime të mëtejshme kriminalistike.”
Me urdhër të Prokurorisë së Fierit që ka marrë në dorë hetimet, është kryer një kontroll edhe në shtpëinë e 66-vjeçares, në Lushnje, ku nuk u gjetën sende të paligjshme.
“Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve është duke vazhduar me veprimet proceduriale të nevojshme. Shtetasja Limoza Xhelali u arrestua dhe akuzohet për “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në IEVP” dhe “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”, në bazë të neneve 324/a dhe 283 të Kodit Penal.”
/a.r