“Më hiqet mandati”, GJL regjistron kërkesën e Salianjit për pezullimin e vendimit të Apelit, kush është gjyqtari që do të shqyrtojë çështjen

Deputeti i PD, Ervin Salianji i dënuar me 1 burg për kallëzim të rremë, iu drejtua sot Gjykatës së Lartë me një kërkesë për pezullimin e dënimit. Në kërkesën e avokatëve mbrojtës thuhej se Salianji ka ende mandatin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë dhe se Gjykata e Lartë duhet të vendosë, përveçse për vuajtjen e dënimit me burgim, por edhe për ruajtjen e mandatit të deputetit si një mandat që i takon popullit.

BalkanWeb mëson se pas dorëzimit të kërkesës, Gjykata e Lartë e ka regjistruar atë pa humbur kohë që këtë të martë. Objekti i padisë është pezullimi i vendimit nr.30-2024-6822, datë 26.09.2024 të Gjykatës së Apelit.
Gjithashtu, Gjykata e Apelit ka hedhur edhe shortin për caktimin e relatorit.

Relator i çështjes do të jetë gjyqtari Sokol Binaj.

Ajo që pritet të caktohet nga gjyqtari relator i çështjes është data se kur do të zhvillohet seanca në Gjykatën e Lartë.

Në kërkesën e përfaqësuesve ligjorë theksohet se “Ervin Salianji është deputet i Kuvendit të Shqipërisë i zgjedhur me mbi 10 mijë vota preferenciale”. Sipas avokatëve, rasti duhet të jetë objekt shqyrtimi nga Gjykata e Lartë pasi sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit dhe po ashtu mandati i Salianjit i përket votuesve që e kanë zgjedhur.

“Në lidhje me cilësinë aktuale të deputetit, do i referohemi faktit që ende nuk ka një vendimmarrje të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve në zbatim të nenit 164 të K.Zgjedhor, çka do të thotë që pezullimi i ekzekutimit është i rëndësishëm përveçse për vuajtjen e dënimit me burgim, por edhe për ruajtjen e mandatit të deputetit si një mandat që i takon popullit. Duke qenë se kërkuesi Ervin Salianji është zgjedhur deputet nga populli me mbi 10 mijë vota preferenciale në zgjedhjet e vitit 2021, zgjedhje këto të zhvilluara pas vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë (18.12.2019), vendim ky i lënë në fuqi me vendimin e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, është tregues i shkakut të veçantë që paraqet ky rast në kuptim të nenit 476 pika 1 të K.Pr.Penale. Besimi me votë që i ka dhënë populli, pavarësisht një vendimmarrje gjykate të dhënë më parë, është tregues i veçantisë që ka rasti objekt shqyrtimi, për më tepër që sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit”, thuhet në kërkesë.

Gjithashtu, në kërkesën e avokatëve të Salianjit thuhet se “vendimi i Gjykatës së Apelit nuk është vënë në dispozicion as i arsyetur dhe as i përmbledhur”. Ndërsa sqarohet më tej se “si fillim kemi depozituar një “Rekurs të përmbledhur” pranë kësaj gjykate, duke ruajur të drejtën për plotësimin e tij pas njoftimit të vendimti të arsyetuar të Gjykatës”. Gjykata e Apelit pritet të zbardhë të arsyetuar vendimin për Ervin Salianjin brenda 45 ditëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com