Me armë nga Maqedonia në Shqipëri për t’i shitur, arrestohet 33-vjeçari

Një 33-vjeçar ka rënë në pranga, pasi është kapur duke trafikuar armt zjarri  me qëllim shitjen nga Maqedonia e Veriut drejt Shqipërisë.

“Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një shtetas që dyshohet se trafikonte armë nga RMV-ja, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Elbasan, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, finalizuan operacionin policor të koduar “Border Crossing”.

Gjatë operacionit, në fshatin Skroskë, u lokalizua shtetasi Sh. Ç., i cili kishte me vete, 1 armë zjarri kallashnikov dhe 1 armë gjahu. Nga hetimet e deritanishme dyshohet se ai i kishte trafikuar armët, nga RMV-ja në vendin tonë, nëpërmjet kufirit të gjelbër, me qëllim shitjen në Shqipëri.

Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u arrestua në flagrancë shtetasi Sh. Ç., 33 vjeç, banues në Prrenjas, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Në drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale të shtetasit Sh. Ç., si dhe për nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë rast”, njofton policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com