Në një konferencë për mediat, Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u pyet në lidhje me ftesën e bërë nga Kreshnik Çollaku ndaj pjesës tjetër të opozitës për të dalë me propozime të përbashkëta për Reformën Zgjedhore. Basha tha se nuk është kundër, por nënvizoi se katër propozimet publike të PD për reformën janë të panegociueshme.
“Nëse dikush thotë s’jam për lista të hapura, ne do i themi qofsh me shëndet se s’je në rrugën tonë. Katër qëndrimet tona janë qëndrime publike, ne i mbështesim ato. Nëse dikush thotë nuk janë për lista të hapura, ne jemi për lista të hapura. Më akuzojnë që kam qenë kundër, këto janë truke të vjetra. Janë gënjeshtra. Mua më ra goja për listat e hapura. Nëse dikush thotë nuk jemi për listat e hapura, është pozicionuar kundër qëndrimit tonë. Ne do të bëjmë gjithçka për listat e hapura. Kush ka frikë nga listat e hapura, është qëndrimi i tij, nuk është qëndrimi jonë. Kaq e thjeshtë është. E njëjta gjë për Shqipëria një zonë elektorale. Rregullat e lojës nuk ndryshojnë sa herë i ndryshon mendja dikujt
Partia Demokratike është Partia Demokratike. Partia Demokratike ka përfaqësuesin e vet. Është Partia Demokratike ajo që ka të drejtën e përfaqësimit, por kjo nuk është loja. Po shmangim debatin. Debati është jemi apo nuk jemi për listat e hapura, votimin elektronik, nëse përgjigjet janë po dhe ka diskutime të tjera, t’i paraqesim këto diskutime. Këtu ka vetëm lojëra personale. Njerëzit e kuptojnë, këto janë qëndrime kundër listave të hapura”, theksoi ai./m.j