Zhgënjimi i demokratëve të cilët Berisha i ushqen me iluzionin se do të ketë hapje të partisë, emra apo fytyra të reja si drejtues politik, edhe këtë herë ishte i madh.
Lista e drejtuesve të 12 qarqeve të Partisë Demokratike nuk përbëri asnjë risi, por kishte emrat e personave të cilët kanë dhënë dhe vijojnë të japin kontribut për të mbrojtur Sali Berishën, kauzën e tij për tu liruar nga 2 ‚non grata‘ e SHBA dhe Britanisë dhe hetimet e SPAK për aferën e privatizimit të ish kompleksit sportiv ‘Partizani” për të cilën akuzohet dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.
Një nga këta ishte Agron Gjekmarkaj, i cili është zgjedhur nga kryesia e PD-së (më 4 shtator 2024) drejtues i qarkut të PD-së në Lezhë pa u pyetur anëtarësi. Kjo e fundit shprehu hapur zhgënjimin. Madje në një intervistë për Report Tv, ish kreu i PD-së së Lezhës Paulin Marku tha se pas emërimit të Agron Gjekmarkajt ishin ‘pazare apo interesa personale’ por jo e demokratëve të grup seksioneve të qytetit. Madje la të kuptohet se demokratët e Lezhës të cilët e mbështetën Berishën që kur nisi nismën e foltores kundër Bashës janë zhgënjyer shumë nga përzgjedhja e një drejtuesi me të cilin nuk ishin takuar asnjëherë.
“Nuk mund të jesh drejtues i një qarku kur nuk ke takuar demokratët e Lezhës nga momenti që merr një mandat deputeti po nga këto demokratë. Ky është vendim kryesia, nëse është cështje pazaresh apo intersa personale nuk i përkasin interesave të demokratëve, e nevojës së qytetarëve të ndershëm për një ndryshim real të politikës në Shqipëri” deklaroi Paulin Marku gjatë intervistës.
Por pse u zgjodh Agron Gjekmarkaj?
E zbuloi Flamur Noka, sekretari i përgjithshëm i PD-së gjatë debateve të nxehta me Myslim Murrizin në mbledhjen e këshillit kombëtar të PD-së të 6 shtatorit.
Sipas Flamur Nokës, Gjekmarkaj është ura lidhëse e Berishës me kancelaritë e huaja për të vijuar betejën e tij për të hequr 2 nongratat, nga SHBA dhe Britania e Madhe
Pjesë nga debate me dyer të mbyllura
Myslim Murrizi: ‘Bardhi dhe Gjekmarkaj nuk u zgjodhën me vote. Erdhën si te bashkuar në diversitet e na u bënë diversante.’
Flamur Noka: ‘” Gjekmarkaj është njeriu që ka bërë më shumë për të dënuar burgimin politik të Berishës, me shume se askush tjetër, duke komunikuar me kancelaritë e huaja’
Kjo vërteton se lista e drejtuesve të qarqeve të Partisë Demokratike nuk përbën asnjë risi. Për përzgjedhjen e tyre nuk është pyetur fare anëtarësia dhe as janë votuar, por janë përzgjedhur për kontributin që kanë dhënë për ekzistencën e Sali Berishës.
E kryetari i Këshillit Kombëtar të PD-së Edi Paloka e mbyll mbledhjen me një ‘shkelje syri’, si në shkrepjen e kapur nga LSA.