Shqipëria dhe Kosova mbledhin sot dy Kuvendet në Prishtinë. 130 deputetë, përfshirë edhe dy kryeministrat Edi Rama dhe Albin Kurti, do të mblidhen në Kuvendin e Kosovës në orën 11:00.
Mbledhja e dy kuvendeve, sipas institucioneve në të dy anët e kufirit, vjen si nevojë e koordinimit të agjendës për realizimin e synimeve që përfshijnë anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkim Evropian dhe integrimet euro-atlantike të Kosovës. Gjithashtu për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve, demokratizimi dhe paqja e siguria në rajon.
I pari që mban fjalën, do të jetë kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, më pas kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, për të vazhduar më tej me krerët e grupeve parlamentare të dy vendeve. Të fundit që do të flasin do të jenë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe më pas ai i Kosovës, Albin Kurti.
Nga Shqipëria do të marrin pjesë 60 deputetë. Në listën e Partisë Demokratike mungon kryetari Sali Berisha, por edhe Lulzim Basha që tashmë i ka ndarë rrugët me partinë që drejtoi më parë.
Kjo është hera e dytë që Shqipëria dhe Kosova organizojnë një mbledhje të përbashkët të dy Kuvendeve. Për herë të parë dy Kuvendet zhvilluan takim më 27 nëntor 2022, me rastin e 110-Vjetorit të pavarësisë.
Por nuk ka shumë pritje nga kjo seancë, megjithatë të dy shtetet mbeten të lidhur me njëri-tjetrin, pavarësisht politikave ditore. I vetmi vend ku ekzekutivi i Prishtinës dhe ekzekutivi i Tiranës japin llogari janë parlamentet e tyre. Parlamentet e Kosovës dhe të Shqipërisë janë të pafuqishme para kryeministrave, prandaj në këtë rast takimi shikohet si një takim i munguar, nga një anë tjetër edhe një lloj karshillëku përballë asaj që po bëjnë serbët në “botën serbe” që bënë mbledhjen e përbashkët të kuvendarëve të Republikës Serbe të Beogradit dhe të serbëve të Malit të Zi.