Mbledhja urgjente e qeverisë serbe, Vuçiç tregon planin kundër Kosovës: Të nisim luftën e letrave!

Qeveria e Serbisë, nën udhëheqjen e qartë të presidentit Aleksandër Vuçiç, mbajti atë që u quajt një “mbledhje urgjente”. Nga aty u zbulua plani kundër Kosovës, thënë ndryshe, u dhanë urdhra për formimin e disa grupeve që do të punojnë kundër anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Vuçiç konfirmoi para kryetares së kuvendit, Ana Brnabiç, ministrave të tjerë dhe zyrtarëve të mbrojtjes dhe policisë, se Kosova tashmë i ka shumicën e votave të nevojshme për t’u pranuar në organizatën ndërkombëtare në mesin e Majit, por sipas tij duhet luftuar.

“Ajo që po kërkoj nga qeveria është që urgjentisht të formoni një ekip që do të luftojë. Shanset tona janë të vogla, por kjo nuk do të thotë që duhet të ngremë duart lart dhe të qajmë. Bëni gjithçka që mundeni, flisni me të gjithë, pasi do të ketë edhe vende anëtare të BE-së që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, të cilat nuk kanë mendim pozitiv për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Hungaria, mikja jonë e madhe, nuk është e vetmja”, tha Vuçiç.

Urdhëri i tij urgjent për qeverinë ishte që të luftonte përmes letrave “non paper”, duke kërkuar përgatitjen e një të tille brenda pak orëve për t’ia dërguar të gjitha vendeve anëtare në Këshillin e Europës.

Si argumentin kryesor për të penguar pranimin e Kosovës, tha se do të përdorë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, duke pretenduar se qeveria Kurti mashtron dhe nuk do ta formojë kurrë. Vuçiç bëri me dije se vetë do të luftojë për këtë duke nisur nga takimi me presidentin francez, Emmanuel Macron, më 7 prill, por edhe me rreth 10 liderë të tjerë europianë.

Presidenti serb pretendoi se raporti i UNMIK-ut, që do të prezantohet në Kombet e Bashkuara më 22 prill, “është shumë i keq dhe nuk pasqyron realitetin aktual në terren në Kosovë”.

Ai tha se nuk e ka problem të qëndrojë mbi 1 javë në Nju-Jork, ku i duhet të përballet edhe me rezolutën për gjenocid për Srebrenicën, nga e cila, pas aprovimit, mund të dalin kërkesa për dëmshpërblim në drejtim të Serbisë. Mes tjerash foli dhe për rritjen e kapaciteteve ushtarake, duke lajmëruar se arsenalit të armëve do t’i shtohet dronët kamikazë më 19 prill./m.j

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com