Po mbahet mbledhja e grupit parlamentar të PS, ndërsa bëhet e ditur nga raportimet brenda sallës ku po mbahet mbledhja se takimi ka nisur me kritikat e kryeministrit Edi Rama në adresë të ligjvënësve socialistë.
Në momentin kur kryesocialisti ka mbëriitur në takimin që po zhvillohet në Kryesinë e Kuvendit, ka gjetur pak deputetë të pranishëm. Ai ka bërë kritika ndaj deputetëve për prezencën dhe u ka sugjeruar të vijnë më herët në mbledhje.
“Ju duhet të kishit 1 orë përpara këtu”- mësohet të ketë thënë Rama.
Po ashtu mësohet se Rama ka artikuluar termin e zgjedhjeve të parakohshme.
Në kuadër të mos angazhimit të deputetëve, Rama ka thënë se “a doni t’ju çoj në zgjedhje të parakohshme”?
Mbledhja e grupit parlamentar të PS mbahet në lidhje me seancën e ardhshme parlamentare ku pritet të miratohen ndryshimet në rregulloren e Kuvendit.
Mazhoranca ka kërkuar ndryshimin e rregullores së Kuvendit nisur nga sjellja e disa deputetëve të opozitës gjatë seancave të fundit.
Në kërkesën e vet, mazhoranca kërkon ashpërsim të masave disiplinore dhe përjashtimin e deputetëve deri në 60 ditë nga seancat.