Hamasi riktheu breshërinë e raketave ndaj jugut të Izraelit, teksa ushtria izraelite ka pozicionuar ushtrinë përgjatë kufirit me Rripin e Gazës në pritje të urdhërit për të sulmuar nga toka.
Qindra raketa të Hamasit ranë mbi qytetin e Ashkelon kur skadoi një ultimatum i vendosur pak orë më herët ndaj popullsisës civile izraelite për t’u larguar. Megjithatë, deri më tani nuk flitet për dëme të dukshme.
Ndërsa nga jugu i Libanit, grupi Hezbollah që ende nuk ka shpallur përfshirjen në konflikt ka hedhur po ashtu raketa drejt Izraelit.
Numri i viktimave të sulmeve të Hamasit që nga e shtuna në Izrael ka arritur në 1 mijë dhe 800 ai nga kundërpërgjigjet e ashpra nga Izraeli ndaj Rripit të Gazës.
Ushtria e Izraelit tha se gjatë operacioneve në zonat ku të shtunën pati shkëmbime zjarri dhe masakra nga militantët e Hamasit kanë gjetur edhe nëpër rrugë trupat e pajetë të 1500 personave, të cilët duhen identifikuar para se të përfshihen në bilancet zyrtare. Në fshatin Beeri fare pranë kufirit me Gazën, terroristët e Hamasit kanë vrarë 10% të popullsisë civile dhe deri më tani janë gjetur trupat e 100 banorëve.
Edhe në Gaza morgjet janë të tejmbushura me trupa viktimash. Shkatërrimi është i dukshëm kudo, ende pa nisur sulmi tokësor i Izraelit. Civilët po marrin arratinë nga shtëpitë e tyre, pas thirrjes së Izraelit që ata të ikin në Egjipt, edhe pse pikat kufitare me këtë vend jo gjithmonë i kanë gjetur të hapura. E gjithë zona, nga e hëna është nën rrethim dhe banorët nuk kanë as ujë, as ushqim, as elektricitet e as karburant.
Hamasi ka paralajmëruar se nuk do të negociojë për lirimin e 150 pengjet, deri kur të mbarojë lufta. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara shprehu shqetësimin për situatën dramatike në të cilën ndodhet aktualisht Gaza, që sipas tij me rrethimin e ushtrisë izraelite do të zhytet edhe më tej në katastrofë.
Nën armë për sulmin janë thirrur 300 mijë rezervistë. Kjo do të jetë hera e parë që ushtria izraelite kthehet në Gaza pas 2 dekadash, që kur i dha fund pushtimit 38-vjeçar.