Policia greke ka arritur të gjejë fijet e duhura për të zbardhur vrasjet e bujshme të krerëve të mafias greke gjatë viteve të fundit. Pas arrestimit të disa personave gjatë javës së fundit, të cilët dyshohet se kanë marrë pjesë në vrasjen e Yiannis Skaftouros në vitin 2022.
Bëhet fjalë për një grup prej shtatë “killerash”, të cilët sipas policisë greke jo vetëm që kanë marrë pjesë në ekzekutimin e disa prej kokave të mafias në Greqi, por tashmë kanë shtrirë aktivitetin e tyre edhe në shtete të tjera si Qipro dhe Mali i Zi. Pjesë e grupit është edhe 26-vjeçari shqiptar Xhonatan Paja sipas mediave greke, i cili është arrestuar bashkë me dy persona të tjerë në Mal të Zi, ku dyshohets e kishin shkuar për të vrarë një person me porosi nga Athina, raporton VizionPlus.tv.
Mësohet se autoritetet greke kanë kërkuar të dhënat e AND-së nga homolohët malazez në lidhje me të arrestuarit ku krahas shqiptarit janë edhe dy persona të tjerë me origjinë nga vendet e ish-Bashkimit Sovjetik. Ndërkohë, njëri prej shtatë personave të këtij grupi është ndjekur dhe u lokalizua në Qipro ku edhe dyshohet se ka kryer një atentat në tetor të vitit të kaluar.
Manastiri në malin Athos
Mediat greke bëjnë me dije se grupi i vrasësve me pagesë ka mbështetje nga klerët vendas. Sipas Kathimerini, ata kanë përdorur si bazë të tyren një Manastir të mbushur me priftërinj me lidhje të forta me Rusinë. Prej Manastirit, të rinjtë lëviznin pastaj për në destinacionet e tyre ku edhe do të kryenin vrasjet.
Ka të dhëna se grupi prej tre personash ku bënte pjesë edhe Xhonatan Paja është nisur për në Mal të Zi me qëllim vrasjen e një biznesmeni grek, i përfshirë edhe në kontrabandën e madhe të cigareve.
Gjatë viteve të fundit janë vrarë një numër i madh personazhesh të njohur në Greqi, të cilët njihen edhe si krerët e mafias së këtij shteti, të përfshirë në trafikun e armëve, drogës si edhe kontrollojnë jetën e natës në qytetet kryesore të vendit.
/a.r